Putin kërkon bisedime të “menjëhershme” me SHBA-në dhe NATO-n

schedule18:55 - 14 Dhjetor, 2021

schedule 18:55 - 14 Dhjetor, 2021

Presidenti rus, Vladimir Putin ka bërë sërish thirrje për bisedime të “menjëhershme” me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n për garancitë e sigurisë teksa tensionet po vazhdojnë të rriten lidhur me çështjen e Ukrainës.

Këtë kërkesë Putini e bëri gjatë bisedave telefonike që zhvilloi më 14 dhjetor me homologët e tij nga Finlanda dhe Franca, tha Kremlini.

Në javët e fundit, Ukraina dhe mbështetësit e saj perëndimorë e kanë akuzuar Rusinë për grumbullimin masiv të ushtrisë pranë kufirit me Ukrainën dhe për mundësinë që Moska në muajin e ardhshëm ta pushtojë Ukrainën.

Zyrtarët rusë mohojnë se Moska po përgatit ndonjë ofensivë dhe akuzojnë Ukrainën për provokim. Rusia këmbëngulë se ka të drejtë të vendosë forcat e saj kudo që dëshiron brenda shtetit.

Gjatë bisedës me presidentin finlandez, Sauli Niinisto, Putini “ripërsëriti nevojë urgjente për nisjen e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n, në mënyrë që të krijohen garanci ligjore për sigurinë e shtetit tonë”, njoftoi Kremlini përmes një deklarate.

Ky liderët, sipas Kremlinit, kanë biseduar po ashtu për krizën me Ukrainën.

Ndërkaq, në bisedën telefonike me homologun e tij francez, Emmanuel Macron, Putini po ashtu ka shprehur qëndrimin se dëshiron bisedime të menjëhershme me shtetet perëndimore, në mënyrë që të parandalohet zgjerimi i NATO-s në lindje.

“Presidenti rus ka theksuar rëndësinë e nisjes së menjëhershme të negociatave ndërkombëtare që do të mundësonin krijimin e garancive ligjore, që do të parandalonin çdo zgjerim të mëtejmë të NATO-s në lindje dhe do të dërgimit të armëve në shtetet fqinje – veçanërisht në Ukrainë – që kërcënojnë Rusinë”, tha Kremlini.

Kërkesa të ngjashme Putini ka bërë edhe gjatë takimit vitual me presidentin amerikan, Joe Biden që u zhvillua javën e kaluar, por edhe gjatë bisedës telefonike që zhvilloi më 13 dhjetor me kryeministrin britanik, Boris Johnson.

Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian u takuan më 13 dhjetor në Bruksel me qëllim që të koordinojnë sanksionet si kundërpërgjigje ndaj Moskës, nëse kjo e fundit pushton Ukrainën.

Deri më tani, BE-ja ka vendosur një sërë sanksionesh ndaj Rusisë për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Kriemesë më 2014 dhe për mbështetjen e separatistëve në lindje të Ukrainës.

Finlanda ndaj një kufi prej 1,340 kilometrash me Rusinë. Por, ky shtet nuk është anëtar i NATO-s, megjithëse viteve të fundit ka thelluar bashkëpunimin e mbrojtjes dhe atë ushtarak me SHBA-në, Suedinë dhe Norvegjinë./ REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!