Një ndeshje normale e Kupës në Spanjë doli jashtë kontrollit duke përfunduar me dhunë. Konflikti në ndeshjen Valencia-Getafe, bëri që disa lojtarë të dëmtoheshin, madje edhe të bëheshin për spital.
Një ngjarje që tronditi jo vetëm Spanjën, por edhe Europën. Konflikte verbale dhe “disi” fizike janë parë shumë në futboll, por ai që ndodhi në stadiumin “Mestaja” të Valencias meriton vend të veçantë. Padyshim “karrigen e turpit”.
Pati grushta e shkelma si dhe fytyra të gjakosura, ndërsa futbollistët e Valencias e të Getafes e mbyllën në këtë mënyrë ndeshjen e Kupës së Mbretit. Forcat e sigurisë private e patën të vështirë të ndalonin dhunën, dhe ishte fat që tifozët nuk hynë në fushë.
Lojtarët dhe pjesëtarët e stafeve teknike u përleshën edhe në tunelin që të çonte në dhomat e zhveshjes, por nuk munguan të sharat dhe kërcënimet për gjyqtarët. Njëri prej futbollistëve, Garai, u detyrua të shtrohej në spital për analiza të mëtejshme, ndërsa Paulistës iu deshën 5 qepje në fytyrë.Getafe pati pretendime për gjykimin e arbitrit, që sipas saj, vendosi fatin e kualifikimit.
Arbitri kryesor i ndeshjes, Havier Estrada Fernandez mbushi një letër të gjatë me incidentet gjatë dhe në fund të ndeshjes, dhe me kartonët që dha (mes të cilëve, dy të kuq). Gazeta “Marka” arriti ta fotografonte, ose ta gjente foton e dokumentit, duke e botuar. Valencia u kualifikua për në gjysmëfinalen e Kupës së Mbretit falë tre golave të shënuar nga Rodrigo Moreno.
Presidenti i ligës spanjolle të futbollit, Havier Tebas, u kritikua sepse televizioni pati censurë, duke mos transmetuar pamjet e dhunës, por ai u mbrojt duke thënë se, sipas rregullave, pamje të tilla filmike nuk mund të jepen në transmetimin zyrtar. Getafe kaloi në avantazh që në minutën e parë, me anë të Horge Molinës, dhe kishte fituar 1-0 ndeshjen e parë.
Rodrigo barazoi fillimisht në minutën e 61-të, por askush nuk besonte tek mrekullia. Drama ishte e gjitha në minutat shtesë, kur ai realizoi edhe dy gola, në një kualifikim që dukej i pamundur. Rodrigo ishte heroi i veçuar i një ndeshjeje të mbyllur me turp, ndonëse tifozët vendas, nuk e patën problem që të festonin. Skuadra e tyre tashmë është në gjysmëfinale të Kupës së Mbretit./abcnews.al