Berisha, Basha dhe Amerika

schedule10:23 - 14 Dhjetor, 2021

schedule 10:23 - 14 Dhjetor, 2021

Nga Edi Oga

Kryefjala e kohës, lufta e pakompromis Berisha-Basha, ka vetëm një qëllim madhor nga secila palë, të fitojnë “Amerikën”. Secili për hesap të vet, për hall të vet. Njëri për ta mbyllur karrierën “me nder” e në shtëpinë e tij, tjetri për të nisur një karrierë “të vërtetë”, në zyrat më të larta të shtetit, pa hijen e rëndë të “babait” mbi kokë!

Berisha për momentin “Amerikën” e ka kundër. Në axhendën e shtetit më të fuqishëm të Botës për këtë “qoshe” të Ballkanit, Berisha është një “cung peme” për t’u shkulur, që për dreq rrënjët i paska më të të thella e më të trasha se ç’e kishin menduar. Me gjestin e saj të shpalljes non-grata, “Amerika” i tregoi shqiptarëve që, nëse ata duan ta shkulin këtë “cung të kalbur e të pavlerë”, “Amerika” është në krah të tyre.

Nga ana e tij, Berisha po i tregon “Amerikës” se sa të thella i ka rrënjët dhe se sa e mundur është që nga trungu i sharruar për së gjeri, ky cung të nxjerrë filiza që do të rrisin një pemë të re.

Basha, më tepër sesa bindje personale dhe premtim real, po përpiqet t’i shesë anëtarësisë dhe të gjithë shqiptarëve idenë se “Amerikën” e ka fort pas vetes. Mbase kjo është e vërtetë, sepse “Amerika” nuk ia tregon askujt planet e veta. Mirëpo edhe në këtë lëmi të diplomacisë, historia ka pasur dhe ka precedentë tepër konkretë; “Amerika”, në “modus operandi-n” e saj, negocion me pakicat por mbështet gjithnjë shumicat.

Me siguri, në bisedat thellësisht private me zotin Basha, “Amerika” i ka premtuar atij se, nëse ai ka pas vetes shumicën e demokratëve, ata do ta mbështesin. Si çdo politikan prej letre ballkanik, me siguri zoti Basha i ka “siguruar” ata që ka shumicën dhe vazhdon të fluturojë mbi re.

Për momentin, “Amerika” mbështet maxhorancën në pushtet, madje duket tepër e kënaqur me të. Në të ardhmen e afërt do të negociojë me atë që kontrollon “shumicën e pakicës”. Dikush mund të çuditet që ai mund të jetë zoti Berisha. Ai vetë jo. Madje ai po jeton e po punon me bindjen që herët a më vonë, kjo do të ndodhë.

Ndërkohë, “duelistët” kanë nxjerrë armët e ftohta dhe po shtojnë “plagët” në trupat e shoshoqit. Përmendja e 4 të vrarëve të 21 Janarit, më tepër se pikë kulminante e “serialit turk”, është bukë për dhëmbët e drejtësisë!

Do jetojmë dhe do shikojmë!

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!