Migen Memelli, pas humbjes që Skënderbeu pësoi ndaj Vllaznisë, në emisionin “Gol pas Goli” në Supersport u shpreh: “Ishin këto dy episode që bënë të vinte humbja sot. Komplimente Vllaznisë, skuadra që bën më pak gabime fiton lojën. Goli i parë erdhi nga mosmarrëveshja e Rexhepit me Bajramin. Ndodh, lojtarët janë njerëz, por Rexhepit po i ndodh pak si shpesh. Duhet të punojë më shumë në stërvitje të kapë formën e tij më të mirë.
“Goli i dytë ishte një mbajtje e topit në një zonë ku ka risk, pasi po ushtronim presion të jashtëzakonshëm. Vllaznia ra fizikisht, ndërsa në po rriteshim, pasi aspekti fizik është një pikë e fortë e jona. Konkretizimi nuk ishte në nivelin e javëve të para, prandaj nuk shënuam. Edhe ne si staf duhet të punojmë më shumë, pasi ndeshja e radhës është ndaj një rivali direkt”.
“Mensah dhe Berisha kanë bërë mjaft mirë, kanë shënuar nga 5 nga 4 gola, janë një kopje shumë e mirë. Duhet të afrohen edhe dy sulmuesit e tjetër, që të rritet konkurrenca. Nuk erdhëm si inferiorë, erdhëm si të barabartë. Vllaznia nuk vodhi gjë, por fitoi nga dy gabimet tona, që ndodhin në futboll. Nuk ishim konkret në 1/3-n e kundërshtarit, pasi deri aty shkuam shumë mirë. Ngjeshja e Vllaznisë ishte e dukshme, pati shumë pak hapësira për ne, por kjo vjen edhe për meritë të kundërshtarit”.
“Merkato? Është shpejt, kemi edhe dy ndeshje për të luajtur. Kontingjenti i lojtarëve është. Futëm Pusin pas dy sulmuesve, kaluam në 3-4-1-2, por ai nuk bëri atë që i kërkuam, pasi filloi të spostohej në krah. Hapësirat ishin mjaft të cunguara dhe nuk na qëlloi të ishim konkret sot. Loja e skuadrës më kënaqi, shpirti i garës ishte i jashtëzakonshëm dhe ushtruam presion, por na lind detyra si staf të jemi më konkret në 1/3-n e kundërshtarit.
“Kastrioti? Çdo sfidë është e vështirë. Erdhëm këtu për të bërë mirë dhe besoj se bëmë mirë. Ne futemi të marrim maksimumin në çdo ndeshje, sot e bëmë me dinjitet, edhe pse Vllaznia ka më tepër eksperiencë se ne”, u shpreh trajneri i Skënderbeut, Migen Memelli. / abcnews.al