Rajoni verilindor i vendit është nën mbizotërimin e kushteve të paqëndrueshme të motit dhe reshjeve të borës. Reshje të dendura bore kanë përfshirë Dibrën dhe Bulqizën, duke bërë që trashësia e borës në Peshkopi të shkoje deri në 20 cm, ndërsa në zona të thella kalon mbi 80 cm.
Të bllokuara janë rrugët që lidhin qytetin e Peshkopisë me Njësit Administrative Lurë, Selishtë, fshtrat e Kalasë së Dodës, Sllovës, Luznisë dhe një pjesë e fshatrave të Tominit dhe Melanit.
Ndërsa në Bulqizë ka rreth 15 cm borë në qytet ndërsa në zona të thella ka 70-80 cm. Të bllokuara janë fshatrat e Njësive administrative Krastë, Ostren, Trebisht dhe disa fshatra të Njësive Zerqan e Fushë Bulqizë. Të dyja Bashkitë kanë pastruar rrugët e brendshme të qytetit, por ende nuk kanë nisur të hapin rrugët e Njësive Administrative.
Situata rrugore sa u përket rrugëve kombëtare është problematike. Aksi Peshkopi-Burrel-Tiranë është i kalueshëm pa probleme pasi gjatë gjithë natës kanë punuar 6 mjete borëpastruese.
Ndërkohë kalohet me vështirësi me zinxhirë në bay-pasin e Murrizit, aksin Klos- Qafë Murrize-Tiranë për shkak se ka mbi 30 cm borë, edhe aty po punojnë 4 mjete borëpastruese.
Aksi ura e Çerenecit-Klenjë-Librazhd kalimi bëhet me vështirësi me zinxhirë nga Klenja deri në Steblevë pasi trashësia e borës shkon në 80 cm.
Në aksin Qafë Bualli – Krastë kalimi bëhet me vështirësi me zinxhirë, ndërsa aksi Peshkopi – Kala e Dodës – Kukës kalimi është me vështirësi me zinxhirë, trashësia varion deri në 80 cm në pikën më të lartë të segmentit.
Aksi Peshkopi – Qafë Draj – Kukës kalimi bëhet me vështirësi me zinxhirë
Nga situata e vështirë me reshjet ka pasur probleme me energjinë elektrike, në disa Njësi Administrative, si Lura, Selishta, një pjesë e Kalasë së Dodës dhe Sllovës, Krastës, Ostrenit, Trebishtit dhe fshatrat e Tërnovës./abcnews.al