Milan nuk ka arritur dot të marrë një fitore kundër Udineses për të ruajtur kreun, ku djajtë nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1.
Një takim që skuadra e Stefano Piolit ishte në disavantazh për pjesën më të madhe të ndeshjes, dhe arriti të barazonte rezultatin vetëm në minutat shtese të sfidës me anë të Zlatan Ibrahimovic, i cili shpëtoi skuadrën nga humbja.
Pas ndeshjes është shfaqur shumë i zhgënjyer Pioli, që nuk është aspak i kënaqur me paraqitjen e skuadrës kundër Udineses.
“Nuk arritëm dot që të impononim lojën tonë. Nuk ishim të qartë dhe të saktë kur duhej që të dominonim kundërshtarin. Dhuruam golin dhe ndeshja u komplikua shumë. Raste për shënim kishim pak, por u futëm shpesh në zonën e rreptësisë.
Po pësojmë gola, pasi humbasim topa për zgjedhje tona të gabuara. Për fat të keq këto janë gjëra që të bëjnë të paguash pasojat dhe të humbasësh kthjelltësinë. Në ndeshjet e fundit kemi humbur kompaktësinë në fazën mbrojtëse dhe nuk kemi ushtruar siç duhet presion. Duhet të rregullojmë disa gjëra në të dyja këto faza”, ka thënë tekniku i kuqezinjve.
Si në kampionat edhe në kupa kemi luajtur mirë dhe kemi fituar me të katërt mesfushorët. Goli erdhi si pasojë e një zgjedhjeje të gabuar. Pastaj mos harroni se jemi tek ndeshja e 7-të në 20 ditë dhe të luash çdo tre ditë, pas një ndeshjeje në Champions”, deklaroi Pioli. /f.a/abcnews.al