Negociatat për paqen, SHBA dhe talebanët bien dakord

schedule21:26 - 28 Janar, 2019

schedule 21:26 - 28 Janar, 2019

Shtetet e Bashkuara dhe talebanët kanë përafruar qëndrimet në negociatat që synojnë dhënien fund të luftës. Sipas mediave amerikane, palët kanë rënë dakord mbi një draft paraprak dhe shanset janë pozitive, por paqja e vërtetë është ende larg.

Negociatorët e Shteteve të Bashkuara dhe ata të talebanëve kanë rënë dakord mbi një draft për marrëveshjen e paqes, në përpjekje për t’i dhënë fund luftës 17-vjeçare në Afganistan. Lajmin e ka bërë të ditur kryenegociatori amerikan, pas 6 ditë bisedime të zhvilluara me përfaqësuesit e guerrilasve në Katar.

Presidenti afgan kishte bërë më parë thirrje për bisedime direkte me rebelët, por ata kishin refuzuar autoritetin e tij, duke e cilësuar strukturën qeveritare një marionetë. Talebanët qeverisën vendin nga viti 1996 deri në 2001. Pushteti i tyre mori fund kur Shtetet e Bashkuara pushtuan Afganistanin pasi Al Kaeda, që e kishte përdorur vendin si bazë, u akuzua për sulmet e 11 Shtatorit.

Sidoqoftë, analistët shprehen se mund të duhen vite të tëra përpara se të arrihet një paqe e mirëfilltë. Zalmaj Khalilzad, përfaqësuesi i posaçëm i Uashingtonit për pajtimin në Afganistan, ishte në Kabul për të informuar qeverinë afgane mbi ecurinë e bisedimeve.

“Kemi një draft mbi të cilin po punojmë, i cili duhet të shqyrtohet mirë përpara se të kthehet në një marrëveshje”, tha Khalilzad për “New York Times”.

Ai nënvizoi se, në kuadër të draftit, talebanët kanë rënë dakord të mos lejojnë që Afganistani të kthehet në bazë për grupet terroriste. Që nga ardhja në pushtet, strategjia e administratës së presidentit Donald Trump ka qenë rritja e presionit ndaj talebanëve për të negociuar me qeverinë afgane. Aktualisht, Shtëpia e Bardhë po shqyrton tërheqjen e plotë të trupave amerikane, në këmbim të një armëpushimi dhe zotimit të talebanëve për të marrë pjesë në bisedimet direkte./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!