Lirohet i arrestuari në Francë, i dyshuar për vrasjen e gazetarit Khashoggi

schedule15:36 - 8 Dhjetor, 2021

schedule 15:36 - 8 Dhjetor, 2021

Autoritetet franceze këtë të mërkurë kanë lënë të lirë të arrestuarin një ditë më parë nën dyshimet se ishte i përfshirë në vrasjen e gazetarit, Jamal Khashoggi, në Stamboll para tre vjetësh.

Sauditi Khaled al-Otaibi u arrestua nga policia kufitare franceze në aeroportin e Parisit, Charles-de-Gaulle më 7 dhjetor para se të udhëtonte në Riad. Ai u vendos në paraburgim dhe pritej të paraqitej në gjykatë më 8 dhjetor.

Ndërkohë mediat e huaja bëjnë me dije se al-Otaibi është liruar sepse autoritetet franceze kuptuan që e kishin ngatërruar personin pas njoftimit të Ambasadës saudite në Paris, e cila njoftoi se “personi i arrestuar nuk kishte fare të bënte me rastin e Khashoggit”.

Më pas Prokuroria në Paris po ashtu njoftoi se pas verifikimeve është konstatuar se i arrestuari nuk ishte personi i kërkuar për vrasjen e gazetarit saudit.

Khashoggi, ishte kritik i madh i Qeverisë saudite i cili jetonte në SHBA ishte vrarë në tetor të 2018-s pasi hyri në Konsullatën saudite në Stamboll për të rregulluar disa dokumente personale në mënyrë që të martohej.

Sipas zyrtarëve turq, një njësi speciale saudite ishte duke e pritur për ta vrarë. Trupi i tij asnjëherë nuk u gjet. Vrasja kishte shkaktuar zemërim global dhe dëmtoi dukshëm imazhin e Arabisë Saudite dhe sundimtarit të saj Princit Muhammad bin Salman./abcnews.al