Escobar në Tiranë para Kuvendit të Berishës, Yuri Kim: SHBA e vendosur kundër korrupsionit

schedule09:51 - 7 Dhjetor, 2021

schedule 09:51 - 7 Dhjetor, 2021

Ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim ka përcjellë një mesazh në Twitter në lidhje me vizitën e zv/sekretarit të Shtetit Amerikan Gabriel Escobar në Shqipëri në datë 9 Dhjetor.

Duke shpërndarë mesazhin e ambasadës amerikane Kim nënvizon edhe njëherë se ai do të diskutojë në lidhje me vendosmërinë e SHBA për të luftuar korrupsionin, mosndëshkrimin dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkan.

“Zëvendës sekretari i Shtetit Escobar do të vizitojë Shqipërinë më datë9 Dhjetor për të thelluar miqësinë tonë të ngushtë bazuar në vlerat e përbashkëta. Ai do të takohet me kryeministrin Edi Rama, ministren e Jashtme Olta Xhaçka, kryetarin e PD Lulzim Basha dhe zyrtarë të tjerë për të konfirmuar mbështetjen e palëkundur për demokracinë dhe integrimin në BE.

Bashkëpunim më i fortë në fushën e mbrojtjes dhe mundësi për tregti dhe investime. Siç thuhet në urdhrat ekzekutivë të presidentit Biden, Escobar do të diskutojë gjithashtu vendosmërinë e SHBA për të luftuar korrupsionin, mosndëshkrimin dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkan”, shkruan Yuri Kim.

Vizita e Escobar në Tiranë përkon dy ditë para Kuvendit Kombëtar të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, i shpallur non grata nga SHBA pak muaj më parë. Kreu i PD Lulzim Basha ka vendosur pezullimin e Berishës nga Partia Demokratike deri në sqarimin e plotë të kësaj çështje për të cilën ish kreu i PD ka hapur gjyq në një gjykatë në Paris. m.v/Abcnews.al