“Foltorja” paralajmëron protesta, Baçi: Berisha e ka provuar që nuk e rrëzoi Nanon në këtë formë

schedule21:22 - 6 Dhjetor, 2021

schedule 21:22 - 6 Dhjetor, 2021

“Foltorja” e ish-kryeministrit Sali Berisha ka paralajmëruar protesta një ditë pas mbajtjes së Kuvendit të thirrur nga delegatët më 11 dhjetor. I ftuar në studion e “Log.” me Endri Xhafon, ish-deputeti Klevis Balliu tha se protestat do të jenë masive.

“Padyshim që zgjedhjet janë vjedhur. Po Lulzim Basha nuk po merr asnjë hap për masakrën elektorale. Çfarë prodhoi foltorja. Tani politika po shkon atje ku lind nga baza. Këtu është çështja për rithemelimin e pluralizmit. Ajo që do të bëjmë pas 11 dhjetorit janë protesta kombëtare masive. PD dhe shqiptarët janë mëse koshientë, Edi Rama ka fituar se janë vjedhur zgjedhjet,” tha ai.

Të kundërtën beson anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Agim Baçi. Ai kujtoi protestat e bëra dikur nga Berisha, që ndonëse shumë më i dobët se Rama sot, nuk e rrëzoi Fatos Nanon e asaj kohe.

“Nuk është se humbi apo fitoi PD, por Rama ka kontribuar që shqiptarët ta konsiderojnë normale këtë tu vjedhësh votën. Ka një komision parlamentar hetimor për këtë çështje. Është një shqetësim që ka ngritur zoti Alibeaj që institucionet nuk u përgjigjen. Kemi qenë këtu në ’97, 2005, zoti Berisha ka protestuar çdo ditë dhe nuk arriti ta rrëzonte Nanon që ishte më i dobët se Rama sot me protesta”, u shpreh Baçi.

Analisti shton më tej se protestat janë më shumë mesazh që Berisha do t’i përçojë Amerikës. “Nisja e protesta do t’i çojë më shumë shenjë SHBA që unë jam i mbështetur dhe non grata nuk ka vlerë”, u shpreh ai. g.v/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!