“Pedagogu me notë më të ulët se studenti”, letra e mjekëve: Të respektohet kriteri i mesatares për vendet e punës

schedule19:50 - 6 Dhjetor, 2021

schedule 19:50 - 6 Dhjetor, 2021

Një grup mjekësh me anë të një letre ngrenë shqetësimin për për mënyrën si janë fituar dy pozicione pune në Fakultetin e Mjekësisë. Abcnews.al mëson se mjekët Arben Rroji, Eugen Enesi, Fatmir Bilaj dhe Ilirian Laçi i janë drejtuar me një letër rekorit Arben Gjata, kryeministrit Edi Rama, kryeparloamentares Lindita Nikolla dhe ministres së Arsimit, Evis Kushi.

Në kërkesën e tyre ata argumentojnë se më 6 Dhjetor 2021 është shpallur konkursi për dy vende pune për pozicionin “Personel Akademik me kohë të plotë” në Lëndën e “Semiologjisë Imazherike”, pranë Departamentit të Imazherisë në Fakultetin e Mjekësisë.

Sipas tyre në kriteret e përgjithshme, specifike dhe preferenciale të publikuara mungon kriteri i notës mesatare të studimeve universitare. Statuti thotë se: “Punësimi realizohet me proçedurë të hapur duke garantuar një proçes transparent, të paanshëm dhe objektiv. Kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për personel akademik me kohë të plotë për vendet e lira të punës duhet të kenë notë mesatare të studimeve universitare 8 e lart”.

Mirëpo, ky standard nuk është respektuar për dy pozicionet në fjalë. Mjekët, të shqetësuar shprehen se shkelja e Rregullores dhe Statutit duke mos vendosur notën mesatare të studimeve universitare penalizon kandidatët të cilët plotësojnë këtë kriter themelor për vlerësimin e Personelit Akademik duke i hapur rrugën abuzimeve në realizimin e kësaj proçedure.

“Një pedagog me notë mesatare më të ulët se studenti i tij është moralisht e pa pranueshme për një fakultet që ka në kurrikulumin e tij emra të mëdhenj të mjekësisë shqiptare,” citohet ndër të tjera në letrën e mjekëve.

Letra e plotë:

Mbështetur në ligjin nr.80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqiperisë”, në Statutin e Universitetit të Mjekësisë, si dhe në Urdhërin nr. 140, date 25.11.2021 “Për miratimin e kritereve për kandidatët për personel akademik në Fakultetin e Mjekësisë”, në Buletinin Nr.174 datë, 6 Dhjetor 2021 është shpallur konkursi për 2 (dy) vende pune për pozicionin e punës “Personel Akademik me kohë të plotë” në Lëndën e “Semiologjisë Imazherike”, pranë Departamentit të Imazherisë në Fakultetin e Mjekësisë.

Në kriteret e përgjithshme, specifike dhe preferenciale të publikuara mungon kriteri i notës mesatare të studimeve universitare.

Bazuar në Satutin e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, miratuar me Vendim nr. 36. datë 11.09.2018, të Bordit të Administrimit dhe Vendim nr. 11, datë 11.02.2019, të Senatit Akademik, Neni 62 “Për punësimin e personelit akademik me kohë te plotë” citohet “përcaktimet mbi mënyrën e hartimit të kritereve dhe mëmyrën e shpalljes së vendeve të punës përcaktohen në rregulloren e UMT-së”.

Bazuar në Rregulloren e Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, miratuar me Vendim nr. 44. datë 26.11.2014, të Senatit Akademik të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë i ndryshuar me Vendim nr. 54 datë 23.10.2015, neni 26, “Përzgjedhja dhe emërtimi i personelit me kohë të plotë” citohet “Punësimi realizohet me proçedurë të hapur duke garantuar një proçes transparent, të paanshëm dhe objektiv. Kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për personel akademik me kohë të plotë për vendet e lira të punës duhet të kenë notë mesatare të studimeve universitare 8 e lart”.

Ju bëjme me dije se shkelja e Rregullores dhe Statutit duke mos vendosur notën mesatare të studimeve universitare penalizon kandidatët të cilët plotësojnë këtë kriter themelor për vlerësimin e Personelit Akademik duke i hapur rrugën abuzimeve në realizimin e kësaj proçedure. Ky kriter i miratuar nga organi më i lartë i UMT, që është Senati duhet të vendoset në kriteret e publikuara në fletoren zyrtare.

Konkursi për vendet vakante në Departamentin e Imazherisë është anulluar për proçedurë dy herë dhe në kriteret e mëparshme nota mesatare ka qenë kriter themelor. Aktualisht jemi përballë surprizes ku ky kriter hiqet duke ngritur dyshime të forta për të favorizuar kandidatë të cilët nuk e plotësojnë këtë kriter.

Duke patur parasysh karakterin delikat të këtij pozicioni pune ku sot studentët më të mirë të fakultetit të mjekësise zgjedhin të specializohen në Imazheri, ju lutem vëmendjen tuaj për një vlerësim sa më të denjë të kandidatëve. Një pedagog me notë mesatare më të ulët se studenti i tij është moralisht e pa pranueshme për një fakultet që ka në kurrikulumin e tij emra të mëdhenj të mjekësisë shqiptare.

Duke ju falenderuar për mirkuptimin dhe me shpresën që ankesa jonë do merret në konsideratë.

Me respekt,

Dr. Sc. Arben Rroji

Dr. S. Eugen Enesi

Dr. Sc. Fatmir Bilaj

Dr. Sc. Ilirian Laçi

 

g.v/abcnews.al