Lezhë, 4 kopshte për 40 mijë banorë

schedule15:42 - 26 Janar, 2019

schedule 15:42 - 26 Janar, 2019

Për 40 mijë banorët e Lezhës ka vetëm katër kopshte, ç’ka nuk plotëson kërkesat. Megjithëse janë bërë investime përsëri ato nuk mjaftojnë.

Në Lezhë, institucionet parashkollore nuk plotësojnë kërkesat e qytetarëve. Dyfishimi i popullsisë 20 vitet e fundit nuk është shoqëruar me investime për ndërtimin e godinave të reja duke krijuar një problem social që është evidentuar më shumë pas reformës territoriale.

Vetëm 1 çerdhe dhe 4 kopshte me ambiente të cunguara duhet të përballojnë një qytet prej afro 40 mijë banorësh. Këtë e shpjegon edhe Drejtori i Arsimit në Bashkinë e Lezhës, Ardian Laçi. Ai thotë se shtimi i ambienteve, rikonstruksioni i tyre apo rikthimi i ambienteve të zaptuara ka rritur ndjeshëm kapacitetin dhe po vijohet.

“Këtu ku jemi sot, gjysma e ambienteve të kopshtit “Gurra” ka qenë e zënë nga familjarët. Falë insistimit të vazhdueshëm të Bashkisë Lezhë ne kemi arritur që t’i nxjerrim nga ambienetet e zëna dhe t’ia kthejmë fëmijëve”, tha ai.

Për drejtorin e Arsimit në Bashkinë Lezhë zgjidhja e këtij problemi kërkon edhe mbështetjen e qeverisë shqiptare që të financojë projektin e bashkisë për ndërtimin e një godine të re.

“Objektivi përfundimtar i Bashkisë Lezhë dhe i kryetarit të saj është ndërtimi kopshtit qëndror, projekt të cilin e kemi prej dy vitesh gati dhe kemi kërkuar vazhdimisht mbështetjen e instancave qeveritare dhe donatorëve të ndryshëm, por akoma nuk kemi një lajm të mirë”, u shpreh ai.

Rivendosja në funksion e çdo ambienti në kopshte ka çliruar mbingarkesën që ishte krijuar duke ndihmuar kështu prindërit që të kenë një vend të sigurt për fëmijën e tyre, por nevojat janë akoma më të mëdha. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!