Marrëveshjet Shqipëri-Kosovë, ambasadori: Kufiri, jo pengesë, të rritet koordinimi diplomatik

schedule22:48 - 3 Dhjetor, 2021

schedule 22:48 - 3 Dhjetor, 2021

Mbledhja e fundit e 2 qeverive, Shqipëri – Kosovë, ku u firmosën një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi mes dy vendeve, sipas ambasadorit të Kosovës në Tiranë, Skënder Dyrmishi dallonte nga të tjerat.

“Besoj se dallon nga takimet e tjera ky takim i fundit mes 2 qeverive”, tha Dyrmishi i ftuar në emisionin “Ballkan” në Abc të drejtuar nga gazetarja Linda Karadaku.

Marrëveshjet e arritura sipas Dyrmishit synojnë që kufiri të mos jetë pengesë mes 2 vendeve për zbatimin e tyre.

“Kufiri mes Kosovës dhe Shqipëri është aty ku ka qenë por këto marrëveshje synojnë që ai kufi të mos jetë pengesë”, shtoi ai.

Dhjetëra marrëveshje të nënshkruara më herët mes 2 vendeve janë lënë në hije duke mos u zbatuar siç duhet. Një gjë e tillë u evidentua edhe në mbledhjen e 2 qeverive prandaj kjo mbledhje siç thekson ambasadori kishte si synim që disa gjëra të bëhet më konkrete siç është çështja e lejeqëndrimit.

“Kabinetet e dy qeverive kanë konstatuar se disa marrëveshje janë zbatuar më shumë dhe disa më pak. Synimi i mbledhjeve ka qenë që disa gjëra të bëhen edhe më konkrete. Po përmend çështjen e lejeqëndrimit e cila definohet tashmë, do jetë 5 vjet qëndrim me një procedurë të thjeshtëzuar, me një klik”, u shpreh ambasadori në “Ballkan”.

I pyetur nëse ka koordinim në punët e jashtme mes dy vendeve dhe një politikë të unifikuar, Dyrmishi u shpreh pozitivisht, megjithatë theksoi se mund të ketë përfaqësim edhe më të koordinuar.

Ne kemi bashkëpunim nga disa vende mike, por diplomacia e Shqipërisë dhe Kosovës janë në një raport më të veçantë, veprime ka jo aq sa duhen por jemi në proces. Unë në të kaluarën dhe vetë kam përjetuar dorën e mbështetjes dhe kontributin që ka dhënë ministria e jashtme.

Ka një orientim që të ketë edhe më shumë koordinim. Tashmë në disa vende ne kemi dhe konsullata të përbashkëta. Mund të ketë edhe një përfaqësim më të koordinuar. Nevojat janë që të ketë më shumë s’ka asnjë dilemë dhe këtë se mohon askush. Ne për momentin mjafton të përmendim që prej momentit që Shqipëria të jetë në këshillin e sigurimit do jetë një shans që edhe Kosova të përfitojë nga kjo situatë do të jetë zëri i Kosovës”, shtoi ai.

15 marrëveshje u firmosën nga mbledhja e dy qeverive, finalizimi i të cilave do të menaxhohet nga Sekretariati Koordinues Ndërqeveritar. Disa prej tyre janë marrëveshja për heqjen e lejeqëndrimit të përkohshëm, për njohjen e sigurimeve shoqërore, ajo për studimin e fizibilitetit për segmentin hekurudhor Durrës – Prishtinë, rregullimi i trafikut në kufi apo edhe njohja e diplomave. be.k/abcnews.al