Kryeministri Edi Rama bën me dije se sot nis operacioni më i madh i eksportit detar të Shqipërisë që do të përfshijë 27 destinacione, mes tyre edhe Japonia.
Bashkë me Ramën duke ndjekur operacionin në qytetin bregdetar të Sarandës ishte edhe ambasadori i Japonisë Takada Mitsuyuki. Në Sarandë shkruan Rama në rrjetet sociale, “nis sot operacioni më i madh i eksportit detar të Shqipërisë, i cili e përfshin edhe Japoninë në hartën e eksporteve shqiptare, që nga 3 vende në vitin 2013 sot ka plot 27 destinacione”.
“Industria shqiptare e peshkimit tanimë është një industri konkurruese në tregun ndërkombëtar dhe pas pesë-fishimit të eksporteve të saj në dy mandatet e para, synojmë dyfishimin në Mandatin e Tretë”, shkruan Rama.
Ambasadori i Japonisë tha se ky biznes mund të kontribuojë në vëllimet tregtare të dy palëve si dhe do të sjellë investime të reja nga Japonia.
“Jam shumë i kënaqur që marr pjesë në këtë dërgesë të parë nga Shqipëria në Japoni. Shpreh respekt për punën. Jam i kënaqur që ju kontribuoni në këtë mënyrë në ekonominë shqiptare. Dërgesa më e fundit e tonit është shumë e mirë në Japoni. Ky është një biznes i ri sfidues në Shqipëri dhe po kështu ky biznes mund të kontribuojë në vëllimet tregtare të dy palëve. S’është vetëm diçka e njëhere, por që do të vazhdojë. Jam i lumtur që ndodhem këtu, është nder”, tha ambasadori. be.k /abcnews.al