Brukseli vendos sansione për katër oficerë të shërbimit sekret rus, për helmimet me agjent nervor të ndodhura vitin e kaluar në Angli. Ata nuk lejohen të hyjnë në vendet e BE, ndërsa do ngrihen asetet e tyre në këto vende.
Bashkimi Europian ka vendosur të hënën një seri sanksionesh ndaj disa oficerëve të lartë të shërbimit sekret ushtarak rus në lidhje me helmimet me gaz nervor të ndodhura vitin e kaluar në Angli. Bëhet fjalë për 4 oficerë, përfshirë drejtorin e njësisë GRU, nëndrejtorin dhe dy agjentë që mendohet se kryen personalisht sulmin. Sanksionet u ndalojnë oficerë të udhëtojnë në vendet e BE-së dhe ngrijnë asetet e tyre në Europë. Gjithashtu, ato ndalojnë çdo kompani europiane t’u ofrojë asistencë financiare personave në fjalë.
Kjo është hera e parë që BE përdor kompetenca të reja për të sanksionuar personat e lidhur me prodhimin dhe përdorimin e armëve kimike, të cilat u miratuan tetorin e kaluar. Të katër oficerët ndodhen aktualisht në Rusi dhe nuk ka asnjë shans që ata të ekstradohen për t’u përballur me akuzat. Agresioni me gazin Noviçok në Sallisbëri të Anglisë helmoi vitin e kaluar katër persona dhe i mori jetën njërit prej tyre.
Objektivi i sulmit, ish-spiuni rus Sergei Skripal mbijetoi pavarësisht se u helmua rëndë dhe po ashtu vajza e tij Julia. Pak kohë më vonë një grua humbi jetën pasi partneri i saj gjeti në ambjentet e shtëpisë një shishe që përmbante substancën nervore. Dyshohet se ena ishte braktisur pas sulmit të kryer nga dy agjentët rusë, sanksionimi i të cilëve vjen pas muajsh të tërë insistimi nga Moska se nuk ka asnjë provë që të tregojë përgjegjësinë e tyre./abcnews.al