8 ditë pas vrasjes së 8 vjeçarit Mateo në Fier ka reaguar ministrja për Fëmijët Bora Muzhaqi. Nga Korça e pyetur lidhur me rastin e Mateos, për të dhënë një shpjegim, pasi e shmangu herën e parë, ajo i ka shprehur ngushëllimet familjes duke thënë se kjo është pjesa më e rëndësishme që duhet bërë për momentin. Në sqarimin e saj Muzhaqi tha se uron që ngjarje të tilla të mos ndodhin më në vend.
“Edhe pjesa e fëmijëve është shumë e rëndësishme për mua, e para ndjesë se të rreh zemra kur flet për ngjarje të rënda, duhet ti shpreh ngushëllimet e mia familjes dhe kuptoj se kjo është pjesa me e rëndësishme që ne të gjithë duhet ta themi për momentin. Përsa i përket politikave apo gjërave që duhet të bëjmë për këtë fushë është ndoshta jo momenti i duhur për të folur,kjo s’do te thotë se spo merremi apo angazhohemi aktivisht, do kohën e vet për të arritur në konsensus dhe uroj që ngjarje të tilla mos ndodhin në Shqipëri”, tha ajo.
Lexo edhe: Vrasja e Mateos, ministrja Muzhaqi shmang median: S’kam kohë
Kujtojmë se pak ditë pas ngjarjes gazetarët i prenë rrugën ministres duke i kërkuar një koment. Duke mos dhënë një reagim për ngjarjen, ajo tha se nuk kishte kohë dhe duhej të largohej. Sjellja e saj ka sjellë një furtunë reagimesh në rrjetet sociale, duke e cilësuar ministren si të papërgjegjshme.
E pyetur në lidhje me ligjin e miratuar nga parlamenti për birësimin e fëmijëve që i jep mundësi dhe komunitetit LGBT, prindërve të vetëm dhe atyre nën 35 vjeç të adoptojnë fëmijë, Muzhaqi tha se është fantastike kur mund t’i japësh një fëmije një familje dhe dashuri.
“Mendoj që birësimi është një gjë kaq e bukur dhe është fantastike kur t’i mund t’i japësh një fëmije një familje, kur nuk ka dashuri njerëzore dhe pastaj pjesa tjetër duhen diskutuar, menduar, por e rëndësishme është që s’ka gjë më të bukur se birësimi”, tha ministrja.
“Mendoj që të rinjtë kanë qenë gjithmonë në fokus, patjetër që duhet të jenë. Mendo faktin që tani ne kemi një ministri që tani ka në fokus të veçantë rininë dhe fëmijët, kemi mundësinë t’i japim fokus me të madh se çfarë është bërë me parë. Mendoj se pjesa e rinisë ka qenë gjithmonë pjesë e ministrive të tjera, unë kam qenë vet zv. ministre rinie në të shkuarën e nuk do të thotë se nuk ka pasur një fokus. Patjetër do jetë fokus me i shtuar”, deklaroi Muzhaqi. be.k/abcnews.al