Partizani dhe Laçi janë ndarë në barazim 1-1, në një ndeshje që ishte e luftuar dhe prodhoi në momente të caktuara edhe tension. Një penallti me VAR e dhënë për Laçin dhe një gol i anuluar, si dhe disa raste të Partizanit në pjesën e dytë, por në fund nuk pati asnjë fitues.
Duele të forta, por jo raste në 45 minutat e para të ndeshjes në stadiumin “Air Albania”. Episodi që mori vëmendjen ishte ai i minutës së 34-të, kur Musta ndaloi në zonë Deliun dhe arbitri Xhaja dha penalltinë me ndihmën e VAR.
Julian Shehu nuk gaboi para portierit Aldo Teqja dhe Laçi kaloi në epërsi. Partizani disa minuta më pas pretendoi për një penallti, por nuk pati vendim në favor të tyre. Një gjuajtje e Stenio Junior mbi tra ishte përpjekja e vetme serioze e “demave”.
Trajneri Daja dha udhëzimet e tij në pushim dhe Stenio Junior për pak e ndëshkoi Dajsninan. Gjuajtja e tij me kokë shkoi ngjitur me shtyllën pingule. Pak minuta më pas Teqja u bë shpëtimtar pas një goditjeje të fortë të Lushkjes.
Kaçe kishte mundësinë më të mirë për të barazuar, në minutën e 72-të, por goditi jashtë disa metra me portën. Gjithsesi Partizani ia doli të realizonte, me Carën që devijoi topin e futur në zonë nga Junior. 1-1 dhe “demat” donin edhe golin e fitores dhe e tentuan me Malën, që u ndal nga portieri i kurbinasve. / abcnews.al