Vrasja në Fier, Alibeaj te “Ligjet”: U çanë dyert e gjykatës, duhet reflektim dhe reagim

schedule12:21 - 18 Nëntor, 2021

schedule 12:21 - 18 Nëntor, 2021

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj në Komisionin e Ligjeve ka ngritur shqetësimin për situatën e krijuar sot në gjykatën e Fierit, ku familjarët e Mateos, që u vra në mënyrë makabre nga fqinji, të revoltuar kërkuan drejtësi.

Alibeaj u shpreh mes të tjerash se ka ardhur koha për reflektim, duke iu referuar pamjeve në gjykatën, ku u çanë dyert në kërkim të drejtësisë. Deputeti shtoi se është e domosdoshme një reagim, politik dhe më pas institucional.

“Dua të kërkoj reagimin njerëz të gjithë deputetëve. Kushdo që është njohur me këtë ngjarje fatkeqe me pasoja të tilla e kërkon këtë lloj reagimi që duhet të bëjë ky komision. Të gjithë i kemi parasysh ngjarjet që ndodhin edhe tani që po zhvillohen punimet në gjykatën e Fierit. Qytetarë që skano asnjë njohje me familjarët,  të cilët i drejtohen në mënyrë emocionale çajnë derën e gjykatës, në kërkim të një shprese që nuk e gjejnë dot në atë mënyrë. Kërkojnë siguri, për fëmijët e tyre. Kjo çështja e mungesës së sigurisë duket që është prezente në mendjet e gjithkujt. Secili nga ne duhet të reflektojë, pse ka ardhur shoqëria në këtë gjendje kaq të rëndë.

Pse nuk kërkojë ligjet dhe institucionet? Është koha jo vetëm për reflektim njerëzor, por mbi të gjithë për institucional. Njerëzit janë të panikosur, rreziku qëndron pas dere për këdo. Njerëzit kanë të drejtë të kërkojnë nga shteti i tyre, nga parlamenti se nga qeveria nuk e ka gjetur këtë lloj reagimi për të mos kaluar në heshtje. Është e domosdoshme një reagim, politik dhe më pas institucional, minimalisht që njerëzit të kuptojnë dhe të sigurohen për aq sa është e mundur që ngjarje të tilla të mos përsëriten në të ardhme. Në mendjet e atyre që çajnë dyert e gjykatave sot në kërkim të drejtësisë së munguar kanë këtë frikë të fshehur. Është e udhës që së paku ky Komision të japë një sinjal të tillë,” tha Alibeaj.

Sakaq, kryetarja e Komisionit, Klotilda Bushka iu përgjigj Alibeajt se nuk është momenti sipas saj për të bërë show dhe se ngjarja është e dhimbshme.

“Për rastin që flisni sot është vonë se ne kemi qenë të gjithë të pikëlluar.Çdo kush e ndjen kontributin që ndjen dhe nuk është e nevojshme të tregojë dhe të bëjë show. Puna është se çfarë bëjnë çdo ditë për të parandaluar këto ngjarje. nuk ka ngushëllim për humbjen e një vogëlushi, kemi që atë ditë që kushdo nga ne është marrë me atë rast. Gjithçka që kemi bërë është e pamjaftueshme dhe do të duhet të bëjmë më shumë,” tha ajo. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!