Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se situata me koronavirus në Gjermani është dramatike, teksa ka bërë thirrje për vaksinim sa më të shpejtë me dozën përforucese të vaksinës kundër këtij virusi.
“Vala e katërt është duke goditur shtetin tonë me fuqi të plotë”, ka thënë ajo në Kongresin e kryetarëve të qyteteve gjermane.
Instituti Robert Koch ka thënë të mërkurën se në 24 orët e fundit janë regjistruar 52,826 raste të reja të infektimit, teksa koronavirusi shtrihet edhe në shtete tjera në Evropë.
Merkel ka thënë se edhe shkalla e vdekjeve është frikësuese. “Nuk është shumë vonë për të marrë dozën e parë të vaksinës”.
“Secili person që vaksinohet e mbron veten dhe të tjerët. Dhe nëse mjaftueshëm njerëz vaksinohen, kjo është rruga për t’i ikur pandemisë”.
Ajo ka thënë se ende duhet të ketë “përpjekje kombëtare” për të dhënë sa më shumë doza përforcuese, meqë mbrojtja nga dozat fillestare ka filluar të zvogëlohet.
Liderët e landeve gjermane pritet të takohen këtë javë për të diskutuar kufizimet e reja kombëtare.
Ka shqetësime që tregjet për Festën e Krishtlindjes mund të anulohen për të dytin vit me radhë./REL