Falë votës së deputetëve që kishin kundërshtuar marrëveshjen e Breksit, kryeministrja Thereza Mej i ka mbijetuar votëbesimit të mbajtur në Parlament. Në këtë mënyrë Mbretëria e Bashkuar ka shpëtuar nga zgjedhjet e parakohshme, por e ardhmja e saj mbetet e paqartë.Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i ka mbijetuar votëbesimit të mbajtur mbrëmjen e së mërkurës në Parlamentin britanik.
Kabineti i kryeministres Thereza Mej ka marrë mbështetjen e 325 votave, kundrejt 306 që kanë shkuar kundër saj. Sipas raportimeve të BBC, kanë qenë konservatorët rebelë dhe deputetët e Unionit Demokrat ata që e kanë mbajtur zonjën Mej në pushtet, edhe pse 24 orë më parë kishin votuar kundër marrëveshjes së Breksit.
Duke reaguar ndaj rezultatit, Mej u tha ligjvënësve se ajo do të vazhdojë të punojë për të përmbushur vullnetin që qytetarët britanikë dhanë në referendumin e dy viteve e gjysmë më parë. Ajo ftoi në takime individuale liderët e të gjitha partive për të përcaktuar rrugën që do të ndjekë Mbretëria e Bashkuar, por u kërkoi atyre të dalin me qasje konstruktive. “Duhet të gjejmë zgjidhje që janë të negociueshme dhe të sigurojmë mbështetjen e duhur këtu në Dhomën e Përfaqësuesve”, deklaroi Mej.
Ajo përsëriti se është gati të kthehet në Parlament ditën e hënë për një tjetër votim të planeve të saj. Por lideri i laburistëve, Xheremi Korbin deklaroi se administrata “zombi” e zonjës Mej e ka humbur të drejtën për të qeverisur. Ai theksoi se, përpara se të zhvillohen takime konstruktive, kryeministrja duhet të përjashtojë opsionin e daljes nga BE pa një marrëveshje. Votëbesimi u mbajt një ditë pas dështimit të marrëveshjes së Breksit, që vitin e kaluar Mej ndërmjetësoi me Brukselin. Falë mbijetesës, qeveria vazhdon të ruajë mazhorancën prej 19 votash, edhe pse se çfarë do të ndodhë më tej mbetet e paqartë./abcnews.al