Probleme nga dëbora, Emergjencat Civile letër 6 Bashkive

schedule17:00 - 16 Janar, 2019

schedule 17:00 - 16 Janar, 2019

Izolimi nga reshjet e dëborës në disa zona të vendit, Emergjencat Civile I kanë dërguar letër 6 bashkive të cilat nuk kanë menaxhuar siç duhet situatët problematike.  Në letrën e Emergjencave Civile drejtuar bashkive kërkohet edhe lista me kompanitë e kontraktuara për mirëmbajtjen e rrugëve.

Ministria e Mbrojtjes përmes Emergjencave Civile u ka dërguar një letër bashkive në 6 prefekturat e vendit, që kanë patur më shumë probleme nga moti i keq. Letra u është dërguar bashkive Shkodër, Kukës, Pukë, Dibër, Korçë dhe Gjirokastër, të cilat nuk kanë menaxhuar siç duhet situatën në zonat rurale. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes janë hasur probleme me parashikimin e fondeve për masat mbrojtëse, parandaluese, ndërhyrëse dhe rehabilituese për emergjencat civile.

Ministria e Mbrojtjes u kërkon bashkive të dërgojnë listën e plotë të kompanive të kontraktuara, si edhe të kapaciteteve njerëzore dhe teknike, të parashikuara në kontratë për mirëmbajtjen e segmenteve rrugore. Në letër I kërkohet bashkive informacion I plotë mbi gjendjen aktuale të akseve rrugore në territorin e tyre dhe masat që do të merren nga ato për përballimin e këtyre situatave në të ardhmen.  Emergjencat Civile kërkojnë një përgjigje sa më të shpejtë nga bashkitë.  Letra e Ministrisë së Mbrojtjes vjen pas shqetësimeve dhe problemeve të ndeshura nga banorët në disa bashki ku nuk është ndërhyrë për mirëmbajtjen e rrugëve rurale. Nga reshjet e dëborës së ditëve të fundit vijojnë të jenë të bllokuara disa akse rurale dhe zona të thella. /abcnews.al