Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi nga foltorja e Kuvendit ka shprehur rezerva sa i përket buxhetit të viti 2022 për fermerët. Kryemadhi tha se ky buxhet po shkatërron një nga sektorët më të rëndësishëm, siç është bujqësia. Sipas saj me rritjen e çmimit të energjisë, bizneseve do t’u duhet të ulin prodhimin dhe numrin e punonjësve, duke i çuar drejt falimentit.
“Sot duhet të kishim një paketë që përkrah prodhuesit dhe fermerët. Në paketë fiskale po shohim që ka vetëm kosto për ata që janë të punësuar në sektorin e bujqësisë. Bashkë me rritjen e çmimit të energjisë bizneseve do u duhet të ulin prodhimin dhe të numrit të punëtorëve apo të mbyllin biznesin”, tha Kryemadhi.
Kryemadhi nënvizoi se sipas saj po bëhet hapa pas sa i përket mbështetjes së bizneseve prodhuese.
“Ne po bëjmë hapa pas si në përkrahjen e biznesit prodhues dhe të legjislacionit. Do ta filloj me rritjen e çmimit me 6 lekë për litër të gazit për industrinë prodhuese. Sot, një fabrikë ka nevojë për 10 mijë litra gaz në ditë dhe në qoftë se do të bënim një llogari të thjeshtë kostot e këtij biznesi do të shtohen me 15.000 euro në muaj ose 180.000 euro në vit. Po t’i shtojmë dhe kostot e transportit e gjitha bashkë edhe me rritjen e çmimit të energjisë bizneseve tona i mbeten dy rrugë. E para, të ulin prodhimin duke ulur njëkohësisht dhe numrin e punëtorëve. Dhe e dyta, të mbyllin aktivitetin sepse e para nuk përballojnë dot me kostot dhe produktet e tyre humbasin konkurueshmërinë në tregjet e huaja por dhe në atë vendas. Kjo taksë do e bëjë produktin ‘Made in Albania’ më pak të konkurueshëm. Sot në vendet fqinje situata është ndryshe. Parashikohen investime për prodhuesit dhe 70 mln euro për bujqësinë. Ne nuk i afrohemi as shifrave neto. Kjo është e vërteta e suportit që kjo qeveri po i ofron fermerëve për të hapur ‘Open Balkan’. Dua t’ju bëj thirrje fermerëve, që vërtetë qeveria harron të merret me ta, me rëndësi është unifikimi i tyre. Ne e kemi përgatitur me duart tona. Është e mirë që moralisht të pranojmë atë që është e vërteta, është se ne i kemi dëmtuar, por të punojmë për ta. Ky është një buxhet i cili i përket një kohe shumë të varfër, edhe të viteve më parë. Është buxhet që shkatërron sektorin më të rëndësishëm ku 52% e shqiptarëve jetojnë me sektorin e bujqësisë”, tha ajo. be.k/abcnewsa.al