Vëllezërit Malindi, “rrënjë” në portin e Durrësit, njëri në kërkim për drogë, tjetri për 80 mijë litra naftë kontrabandë

schedule10:32 - 4 Gusht, 2022

schedule 10:32 - 4 Gusht, 2022

Dy nga tre personat e shpallur në kërkim për naftën kontrabandë në Portin e Durrësit më 23 korrik janë arrestuar sot nga policia.

Abc mëson se në pranga ka rënë kapiteni i anijes, Flamur Aliu dhe mekaniku Nuri Xheka.

Në kërkim vijon të jetë Alban Malindi, administratori i peshkarexhës.

Kush është Alban Malindi

Alban Malindi është vëllai i Gentian Malindit, i shpallur në kërkim për trafik kokaine që në vitin 2019.

Më 28 shtator 2019 një  operacion ndërkombëtar droge, i zhvilluar mes autoriteteve shqiptare dhe policisë greke nën bashkëpunimin e DEA-s amerikane, çoi në sekuestrimin e 137 kg kokainë. Lënda narkotike me origjine nga Ekuadori u prit në Portin e Durrësit nga tre persona, prej të cilëve 2 u vunë në pranga dhe një tjetër u shpall në kërkim.

Në sajë të operacionit të koduar “Kuito”, në pranga përfunduan Ardian Begam, 53 vjeç dhe Altin Mislihaka, 35 vjeç nga Durrësi, njëri punonjës i sigurisë në Portin e Durrësit dhe tjetri mirëmbajtës i një anije peshkimi. Ndërkohë që u shpall në kërkim Gentian Malindi, 43 vjeç, i cili priti dy të arrestuarit jashtë portit, me një automjet me targa të huaja.

Drogën nga kontenieri e mori Ardian Bega, i cili u pikas edhe nga kamerat e sigurisë me një çantë sportive në krahë, ku besonte se aty kishte drogën e porositur në Ekuador, për llogari të Gentian Malindit.

Në fakt, policia greke e kishte zëvendësuar drogën me pako me oriz dhe brenda tyre kishte futur një gjurmues GPS.

53-vjeçari Bega dhe Altin Myslimhaka, 37 vjeç, kishin për detyrë të nxirrnin drogën nga kontenierët e Portit të Durrësit. Ata e kanë marrë ngarkesën dhe e kanë futur në një makinë, në të cilën gjendej edhe pritësi i saj, Gentian Malindi.

Por në rrugën dytësore Plepa-Golem, ata kanë kuptuar që pakot e drogës ishin zëvendësuar me oriz dhe i kanë hedhur. Policia, që po i mbante nën vëzhgim ka ndërhyrë për t’i ndaluar, por Malindi ka mundur të largohet. Ai është një emër i njohur për policinë, pasi në vitin 2013 u kap me një sasi prej 500 kg hashash./Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!