“8 dhjetori ishte shija e parë e lirisë”, Mesila Doda: Nuk u bë kurrë një “divorc” i vërtetë nga mentaliteti i së shkuarës

schedule20:05 - 8 Dhjetor, 2022

schedule 20:05 - 8 Dhjetor, 2022

Deputetja Mesila Doda në një intervistë me Skype për emisionin Radari Informativ me gazetaren Juli Xhokaxhi foli për Lëvizjen Studentore që ndryshoi historinë e Shqipërisë. Duke folur si një ndër ish studentet që iu bashkua kësaj lëvizjeje në vitin 1990, Doda tha se “8 dhjetori ishte shija e parë e lirisë”.

“Ajo që ndodhi ishte një konsekuencë gjeopolitike e rajonit dhe kampit të lindjes. Kur dëgjuam se kishte ndodhur në qytetin Studenti, shkuam të nesërmen që t’i mbështesnim. Kishte tendenca dhe më parë që të krijohej një lloj pluralizmi fasadë sepse u tentua që organizata të tjera si fronti demokrati të kishin kandidatë në vete në zgjedhje.

Ajo që ndodhi ishte e papritur megjithëse kishte ndodhur, se ishte shemba e bustit të Stalinit në Shkodër, demonstratat në Kavajë por mbahej nën kontroll nga regjimi. “, tha ajo.

Më tej, duke iu referuar situatës politike aktuale, Mesila tha se nuk u bë kurrë një divorc i vërtetë nga mentaliteti i së shkuarës. Sipas saj, janë ndërtuar individë të fortë por jo institucione të forta.

“Nëse më flisni për lidhjen tonë me politikën, ajo që ne kemi dështuar si klasë politike është koncepti parti moderne. Ne krijuam një formacion tjetër që kopjoi një parti që ishte e vjetër. S’do ta harroj kurrë fjalën e Gramoz Pashkos në 1993, kur po e përjashtonin nga partia dhe tha ‘ju jeni përgjegjës për ekzekutimin e partisë së parë pluraliste në vend’.  Ky mentaliteti përjashtues që s’e mendon njësoj si ty e ka dërrmuar idealizmin që të japësh më shumë për atdheun dhe politikën.

Ky ishte dëmi më i madh që iu dha partive politike dhe veçanërisht PD-së. PD ishte shpirti i lirë. Ajo që ndodhi që ishte e pafalshme ishte tentativa për të mbajtur të njëjtën ideologji dhe mentalitet dërrmues dhe përjashtues ndaj kundërshtarit. Kjo është arsyeja pse neve po e vuajmë varfërinë e madhe të klasë politike.

Zhdukja që iu bë një brezi të tërë të së djathtës për disa dekada, ka pasur tendenca për ta vrarë në ideologji kundërshtarin dhe ky ka qenë dëmi më i madh. E dyta që është problematike është pjesa e mos ndërtimit të institucioneve, gjatë këtyre viteve kemi ndërtuar individë të fortë por jo sistem të fortë.”, tha Doda. “Nuk u bë kurrë një gjyq politik në sistemin e kaluar. Duhet të kemi mundësi që politikisht të bëjmë një divorc të vërtetë nga mentaliteti i së kaluarës.”, shtoi ajo duke cituar më pas At Zef Pllumin i cili thotë se “kemi vuajtur nga regjimi për 50 vjet dhe do të na duhen po aq vite që të ndahemi nga ai sistem”. /abcneës.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!