Nga Ajgena Korbi
Familjarë që presin të mësojnë për shëndetin e të afërmit të tyre. Personel shëndetësor që përpiqet të japë ndihmë dhe jashtë pavionit. E tillë ishte situata para spitalit Infektiv paraditen e të dielës ku numri i autoambulacave në pritje për të shtruar të sëmurët me koronaviurs shkoi në dhjetë.
Kjo zonjë na tregon se ka sjellë në spital kunatin e saj 69 vjeç që ka shfaqur probleme me mushkëritë. Ajo thotë se u detyruan të kërkonin ndihmën e urgjencës pasi shëndeti i tij u përkeqësua, por ndonëse mbërriti në spital iu desh kohë për tu futur në pavion.
“Kam vëllain e burrit. Bëmë një vizitë te dispanseria dje dhe na thanë se ka ftohje. E thirrën dje këta të urgjencës dhe thanë sille të vijë në spital. E sollëm dhe ka dy tre orë në autoambulancë. Desha të bëj thirrje për ministren që të vejë dorën në zemër sepse jemi njerëz të thjeshtë dhe prapë shesim shtëpitë për të shpëtuar jetën.
Ai është 69 vjeç nuk ka sëmundje të tjera. Ne për të mirë e sollëm këtu jo për ta lënë si qen aty. Ka të tjerë që kanë edhe 6 orë që rrinë aty me autoambulanca janë gjynah”, shprehet ajo.
Rritja e numrit të të infektuarve me koronavirus ditët e fundit ka shtuar dhe të sëmurët që kanë nevojë për trajtim në spital. Aktualisht për ti ardhur në ndihmë këtyre pacientëve në funksion janë tre spitale Covid./mv.abcnews.al

