Nga Maksi Rama
Një student i Fakultetit të Drejtësisë paguan për studimet e ciklit Master 75 mijë lekë, ndaj të rinjtë për shkak të vështirësive ekonomike dhe disa faktorëve të tjerë, kërkojnë përgjysmim tarife.
“Shumica e studentëve dhe familjeve të tyre mezi ia dalin të përballojnë kostot e studimeve të fëmijëve të tyre në kohë normale, aq më tepër në kohën e pandemisë kur vendet e punës u mbyllën apo u reduktuan në masë, çka solli papunësi te prindërit apo edhe të vetë studentët e punësuar.
Vështirësitë dhe pamundësia ekonomike duhet të ishin marrë parasysh nga Ministria e Arsimit dhe Universiteti i Tiranës”, u shpreh Elvis Gjini, student në Master.
Kërkesat që të rinjtë i kanë drejtuar Ministrisë së Arsimit dhe Institucioneve të tjera të Arsimit të Lartë, janë të mundura sipas tyre nëse hiqet dorë nga shpenzimet e luksit që bën Universiteti i Tiranës.
“Në vitin 2019, Universiteti i Tiranës shpenzoi 660 mijë euro për roje private, karburant, dieta, udhëtime, telefon, orendi zyre. Nga kjo shumë 471 mijë euro janë shpenzuar për siguri, çka do të thotë se 7 godina të Universitetit që ruhen me nga një roje private me pagë 250 mijë lekë të vjetra në muaj kanë një kosto shumë të lartë. Sikur këto shpenzime absurde dhe të paarsyeshme të reduktoheshin, kërkesa e drejtë e studentëve do të mund të realizohej.
Prandaj, ne si organizatë rinore “Guxo” mbështesim plotësisht kërkesën e studentëve dhe do të vazhdojmë ta ndjekim këtë çështje më vëmendje maksimale deri në realizimin e saj”, tha Marash Logu, drejtori i organizatës rinore, “Guxo”
Studentët shprehen se janë të bashkuar dhe do të këmbëngulin deri sa ata të marrin një përgjigje pozitive, në të kundërt do t’i rikthehen protestave masive.
“Jam i bindur që nëse studentët do të bëhen të gjithë bashkë, tarifat mund të përgjysmohen, pasi janë të gjitha mundësitë që kjo tarifë të përgjysmohet. Ne shpresojmë shumë që bordi i administrimit të Universitetit të Tiranës së bashku me Ministrinë e Arsimit të marrin parasysh këtë kërkesë. Do të presim që të kemi një përgjigje dhe në momentin që nuk do të marrim asnjë përgjigje, çdo opsion është i mundshëm, nuk përjashtohen as protestat”, tha ai.
/abcnews.al/