72% e votuesve të regjistruar amerikanë besojnë se Joe Biden nuk ka shëndetin mendor për të shërbyer si president. Kjo është ajo që del nga një sondazh i ri i CBS Neës/YouGov, i cili nxjerr në pah një rritje në krahasim me 65% të anketës së mëparshme.
Sondazhi tregoi se gjithashtu 45% e demokratëve besojnë që Biden duhet të tërhiqet nga gara presidenciale për shkak të shqetësimeve shëndetësore.
Ndërkohë 49% e të pyeturve mendojnë të njëjtën gjë për edhe për Donald Trump.
Në prag të zgjedhjeve presidenciale të 5 nëntorit 2024, Biden dhe Trump u përballën në debatin e tyre të parë të drejtpërdrejtë.
Debati, i mbajtur nga CNN, intensifikoi diskutimet rreth aftësisë së Biden për një mandat të dytë. Pavarësisht se Trump nuk fitoi një avantazh të qartë, performanca e Biden ishte katastrofike çka rriti shqetësimet për moshën e tij dhe thirrjet për për t’ia lënë vendin një kandidati më të ri pak më shumë se katër muaj nga dita e zgjedhjeve.
Mes thirrjeve në rritje që Biden të tërhiqej, përfaqësuesi republikan i Teksasit Chip Roy paraqiti një rezolutë duke i bërë thirrje zëvendëspresidentes Kamala Harris të mblidhte kabinetin për të thirrur Amendamentin e 25-të të Kushtetutës së SHBA dhe për të ushtruar kompetencat si president në detyrë.
Rezoluta e Roy tha se Biden “ka demonstruar në mënyrë të përsëritur dhe publikisht një paaftësi për të kryer kompetencat dhe detyrat e presidencës, duke përfshirë kompetencat dhe detyrat e Komandantit të Përgjithshëm”.
Sipas Amendamentit të 25-të, nënkryetari dhe shumica e kabinetit mund të votojnë për të shpallur një president “të paaftë për të kryer kompetencat dhe detyrat e zyrës së tij” dhe t’i japin zëvendëspresidentit detyrat e ushtruesit të detyrës.
/abcnews.al