613 kg kokainë, Xhafaj: Çekaj nuk do të ekstradohet

schedule15:32 - 11 Tetor, 2018

schedule 15:32 - 11 Tetor, 2018

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj deklaron se personi i akuzuar për sasinë e 613 kilogramë kokainë të bllokuar në Durrës, nuk do të ekstradohet nga Gjermania. Sipas tij, kjo gjë vjen pasi në Gjermani ai po hetohet për një tjetër rast.

Ekstradimi nga Gjermania i Arbër Çekaj drejt vendit tonë, i akuzuar për sasinë e 613 kilogramë kokainë të bllokuar në Durrës disa muaj më parë vijon të mbetet në vend numëro. Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, deklaroi se Çekaj po hetohet për një tjetër rast nga auturitet Gjermane.

“Ka një ndryshim në këtë gjë, nuk është çështje ekstradimi më, por është çështje hetimi të përbashkët. Mbetemi këtu, se kjo nuk më takon mua, u takon autoriteteve të hetimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Policisë shqiptare dhe zyrës përkatëse të Policisë Kriminale gjermane”, u shpreh Xhafaj.

Xhafaj theksoi në prani të Peter Henzler, zv/presidentin e policisë Federale të Gjermanisë, se operacionet e përbashkëta do të vijojnë ndërmjet dy shteteve.

Dua të bëj me dije se ne kemi disa operacione të përbashkëta, disa hetime të përbashkëta midis Policisë së Landeve dhe Policisë shqiptare në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” dhe në kuadër të operacionit “Anti-skifter”. Kemi disa operacione të suksesshme të realizuara gjatë këtij viti dhe kemi disa hetime të përbashkëta në proces, të cilat janë diskutuar midis përfaqësuesve të Policisë Kriminale gjermane dhe Policisë shqiptare dhe janë të nivelit operacional, që nuk i përkasin Ministrit”, tha Xhafaj

“Bisedat që ne patëm me Ministrin, por gjithashtu edhe bisedat në nivel policor, treguan që duhet të bëjmë përpjekje akoma më të mëdha, duhet të nisim përpjekje të reja, t’i intensifikojmë për të luftuar autorët që kryejnë vepra penale për t’i çuar ata para gjyqit, por edhe për t’ua marrë atyre fitimet e marra nga veprimtaria kriminale.Për këtë qëllim Shqipëria, Ministri konkretisht, ka hartuar një strategji, e cila është mbresëlënëse. Elementet shumë profesionale të kësaj strategjie japin gjithashtu edhe një shans dhe mundësi të mirë për ta luftuar krimin në mënyrë efikase”, u shpreh Peter Henzler.

Më herët ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe zyrtari gjerman i Policisë Kriminale, nënshkruar sëbashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë një projekt konkret, të quajtur “Orka”, i cili do të jetë në mbështetje të luftës kundër krimit organizuar./abcnews.al