Ngarkesa prej 613 kg kokainë ndodhet ende në magazinat e firmës “Arbri Garden” në Maminas. Aty agjentë të antidrogës dhe prokurorë vazhdojnë të kryejnë veprimet hetimore.
Mjediset e firmës “Arbri Garden” në Maminas të Durrësit janë akoma në ruajtjen e policisë. Me shirita u rrethua edhe kamioni i ngarkuar me kontenierin ku u gjet sasia prej 613 kg kokainë.
Në hyrje të kompanisë qendrojne dy efektivë të policisë. Por këta nuk duhet të jenë të vetmit ata që ruajnë sasinë tronditëse të kokainës, e cila ndodhet në brendësi të magazinës. Aty agjentë të antidrogës dhe prokurorë hyjnë e dalin në kohë të ndryshme.
Droga do të mbahet këtu deri më përfundim të hetimit paraprak. Më pas do të dergohet në rezervat e shtetit. Aty do të ruhet për llogari të Krimeve të Rënda deri në përfundim të hetimit.
Paralel me kryerjen e veprimeve të drogës, grupi hetimor po verifikon të gjitha ngarkesat që ka kryer firma në fjalë. Dy kontenierë të tjerë që presin në Port do të kontrollohen nga skaneri sapo pranë autoriteteve doganore të shkojë kërkesa e prokurorisë.
Kokaina me vlerë 180 milion euro u nis nga Kolumbia, për t’u trasportuar më pas me anije në një port detar në jug të Italisë, për të kaluar edhe në Maltë, dhe më date 19 shkurt mberriti në portin e Durrësit. Policia arrestoi ata që pritën ngarkesën Donaldo Lushajn nga Tropoja dhe Armando Pezakun, kurse shpalli në kërkim administratorin e “Arbri Garden”, Arbër Çekaj, për të cilin shefi i opozitës shkroi në FB se ka bërë 97 rrugë Kolumbie. Në aktivitetin e kompanisë “Arbri Garden” bëhet me dije se përveç transportit të bananeve objekt i aktivitetit të saj janë dhe investimet në fushën e medias, informacionit, reklamës dhe marketingut. Import eksport, prodhim, tregtim i artikujve të ndryshëm të të gjitha llojeve, me shumicë dhe pakicë si: Lule, fidanë dhe bimë të ndryshme të tjera. Tregtim artikuj të ndryshëm blegtorale e bujqësore, tregtim artikuj të ndryshëm industriale. /abcnews.al
Gazetare e ABC News, Durrës: Enkeleda Arapi