61-vjeçari humbi jetën në galeri, kolegu: Rregullorja e sigurimit teknik është bërë me gjakun e minatorëve

schedule11:15 - 20 Shtator, 2021

schedule 11:15 - 20 Shtator, 2021

Mesnatën e së dielës u gjet trupi i pajetë i minatorit 61-vjeçar Muharrem Plaku në thellësinë e galerisë në Zonën e Parë të minierës së Bulqizës. Minatori u gjet pas pesë ditësh kërkime nga kolegët e tij që i vijuan kërkimet pa ndërprerje. Ai ishte zënë poshtë nga një sasi e madhe minerali, e shembur në hapësirën e galerisë.

Duke folur për mikrofonin e ABC, një kolegu i tij, Ferat Kurti deklaroi se aksidentet në minierë kanë qenë gjithnjë prezente dhe do të vijojnë të jenë. Minatori tregon se tashmë është në pension, por pasojat e punës në minierë i vuan me shëndetin.

“Aksidentet në minierë kanë qenë, dhe do të vijojnë të jenë. Unë për veten time kam kaluar shumë rreziqe.  Prej sforcimit nga puna në minierë jam bërë operacion për zemrën. Tani jam pensionist, por vështirësitë e minierës i di shumë mirë. E di shumë mirë çdo të thotë minierë, pluhura, gazra, thellësi, mos mbushje me frymë. Ka shumë probleme. Ka nga më të ndryshmet. Nuk mund ta imagjinosh se ç’del pasi të punosh 30 vite në minierë.  Statusi ekonomik është i dobët, nuk mund ta mbulosh shëndetin me financën që do të marrësh pension.”

Ndërsa, duke folur për rregulloren e sistemit teknik, Kurti tha se çdo pikë e saj është bërë me gjakun e minatorëve që janë lënduar apo kanë humbur jetën. Ai thekson se nga sindikata nuk kanë mbështetje.

“Rregullorja e sigurimit teknik të minierës, çdo pikë e rregullores është bërë me gjakun e minatorëve të rënë. Ai që është plagos dhe ai që ka ikur nga jeta. Punëtorët nuk kanë ku me i gjet të drejtat tendencat për të kërkuar punëtorët janë të mohuara nga sindikata që janë aktualisht në Bulqizë. Nuk ka sindikatë, nuk do të ketë.  Janë punëtorët pa punë, pa bukë, janë pushuar prej pune…detyrimisht ka edhe përçarje në familje.”

Ndërkohë, për ngjarjen e rëndë policia ka shoqëruar inxhinierin e Galerisë dhe përgjegjësin e punimeve ndërsa vijojnë hetimet për të zbardhur shkakun e shembjes së galerisë. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!