Në administratën publike dhjetra konkurse mbyllen pa fitues. Drejtoresha e DAP, tha sot në Kuvend se në shtet, aktualisht janë 600 vende të lira, por shumë prej tyre ngelen bosh, sepse nuk aplikojnë inxhinerët, arkitektët apo të diplomuar në shkenca ekzakte si matematika, fizika, apo kimia.
Në zyrat shtetërore, më shumë se 600 vende pune janë aktualisht bosh. Shumë prej tyre nuk arrihen të plotësohen, pasi në konkurse nuk marrin pjesë kandidatë me arsimin e kërkuar. Nevojat janë për të diplomuar kryesisht në inxhinieri dhe shkenca ekzakte.
Problem tjetër i ngritur nga Nënkomisioni i Administratës Publike, është heqja e padrejtë nga puna e nëpunësve, të cilët fitojnë më pas gjyqet duke i shkaktuar faturë buxhetit të shtetit.
Drejtoresha e Departamentit të Administratës Publike, raportoi se 70 punonjës janë larguar nga puna në administratë, sepse janë prekur nga ligji i dekriminalizimit. /ABC News Albania 24/7