Ish-kryeministri Sali Berisha i ka bërë një sfidë të hapur kryeministrit Edi Rama dhe kreut të PD Lulzim Basha, teksa ka krahasuar kandidatët që garojnë në 6 mars për kryetar në bashkinë Lushnje. Teksa ka prezantuar kandidatin e “Shtëpisë së Lirisë” Elton Banon, Berisha tha se mes tij dhe përfaqësuesve të PS e PD, ka një dallim si nata me ditën.
“Ne sot jemi në një fushatë të pjesshme lokale. Por rëndësia e saj është shumë herë më e madhe sesa fushata e zakonshëm në 6 rrethe apo 6 bashki të vendit sepse kjo fushatë këto votime duhet të shënojnë atë moment që është më jetik sot për çdo shqiptar që dëshiron të jetojë në këtë vend. Asgjë më të bekuar nuk ka dhe nuk do të ketë sesa ndryshimi. Ndryshimi bëri të mundur që ne vendi më i izoluar i Evropës të anëtarësohemi në Nato në këshillin e Evropës të ecim të siguritë drejt BE. Ndryshimi bëri të mundur që ne me mundin djersën e fermerëve të mrekullueshëm të Lushnjes të Korçës dhe mbarë Shqipërisë në 2013 të ishim eksportues të qumështit dhe vezëve të shumëfishonim eksportet.
Ne duhet të fluturojmë, ne duhet të ecim shpejtë. Këto 8 vite u instalua një regjim i cili nuk përfilli asnjë nga interesat tuaja fisnike dhe etike. U instalua një regjim arrogant pa lidhje me qytetarin, taksat tuaja djersa dhe mundi s’u përdor për rritjen e rrogave tuaja. Le të mendojmë, unë e kam lehtë t’u them se midis Elton Banos dhe përfaqësuesve socialiste apo të Lul Bravës është dallimi si nata me ditën. Mund t’iu numëroj të gjitha aktet korruptive, vjedhjet e bashkisë së Lushjes e kryetarit dhe nënkryetarëve”, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u premtoi qytetarëve ndryshimin. E në këtë pikë, ish-Kryeministri renditi disa arritje të Shqipërisë që kanë ardhur si pasojë e ndryshimit.
“Lushnja duhet të jetë në krye të kësaj përpjekje për ndryshimin. Cili është premtimi ynë? Ndryshimi është premtimi ynë. Ju garantoj që djali juaj që doli me një procedurë të lirisë, me primare, nuk është propozuar nga askush nga sipër, e kanë propozuar demokratët e Lushnjes dhe në votimet e tjera bashkë me ta do votojnë edhe qytetarët e Lushnjes”, u shpreh Sali Berisha.
Gjatë prezantimit të Banos, Berisha deklaroi se Taulant Balla bën fushatë politike në Lushnje për kandidatin e Bashës./abcnews.al