Nga Enkeleda Bodini
Ndërsa kudo po shohim kopje të gjithçkaje, në Zadrimë të Lezhës, disa gra dhe vajza, punojnë fort për uniken, duke prodhuar shqip. Ato janë gratë dhe vajzat e “Colors of Zadrima”, që ndajmë bashkë pasionin për traditën. Në një intervistë për abcnews.al, ato kanë rrëfyer për punën e tyre më tezgjah dhe për pasionin që i shoqëron çdo ditë për ta ruajtur me fanatizëm dhe mjeshtëri, kulturën e vendit tonë.
“Jemi vetëm disa prej qindra ose mijëra grave dhe vajzave, bija të Zadrimës, që mjeshtërinë e punimeve me tezgjah e trashëgojnë brez pas brezi prej qindra vitesh.
Siç shumë edhe mund ta dinë, tradita e tezgjahut daton shumë herët në historinë tonë dhe kjo gjë dëshmohet edhe nga veshja jonë tradicionale, një mozaik ngjyrash që i ka rezistuar çdo kohe, si një ndër veshjet më të vjetra shqiptare. Colors of Zadrima janë ngjyrat e bukura të traditës sonë”, u shprehën ato për abcnews.al.
Një detaj që i bën akoma më të veçanta punimet e tyre, është mëndafshi, i cili prodhohet në atë zonë. Prej shumë vitesh, për ju që nuk e dini, në Zadrimë është rikthyer mbarështimi i krimbit të mëndafshit, prej të cilit dalin të gjithë ato mrekulli që përfaqësojnë kulturën shqiptare.
Punimet e tyre janë copëza krijimesh që syri rrallë herë i shikon, kur bëhet fjalë për kulturën dhe trashëgiminë. Të gjithë ne, duhet të jemi të lumtur për të tillë njerëz, që të bukurën e shohin te tradicionalja, tek ajo që na përfaqëson dhe identifikon si popull.
Intervista e plotë për abcnews.al:
Abcnews.al: Prej sa vitesh merreni me punime artizanale?
Colors of Zadrima:Pothuajse çdo vajzë në Zadrimë mëson të punojë me tezgjah, pasi është një element shumë i fuqishëm i traditës sonë. Kemi filluar të tregtojmë produktet tona që prej vitit 1996, sigurisht në mënyrë informale deri para pak vitesh dhe së fundmi kemi edhe një dyqan falë ndihmës së një projekti të COSPE, një organizatë italiane që vepron në Zadrimë.
Abcnews.al: Si e keni ruajtur traditën e punimeve me tezgjah?
Colors of Zadrima:Ka qenë pasioni ajo që na ka shtyrë që në fillim. Pastaj, gjëratkanë lëvizurgradualisht.
Nukkaqenë asnjëherë e lehtë, porbesoj se njeriuduhettë investojë shumë në gjëratqë besondheidëshironvërtetpasiherëtapovonë kyinvestim do të të kthehet.
Abcnews.al: Me çfarë materialesh punoni?
Colors of Zadrima:Punojmë me materiale të ndryshme, si: mëndafsh, pambuk, lino, lesh, deve, etj., sipas nevojave dhe mundësive. Sigurisht, më të veçantat ndër punimet tona janë ato të bëra me mendafshin natyral qe e prodhojmë vetë. Kjo për dy arsye:
Së pari, sepse ke mundësinë ta njohësh komplet procesin, nga çelja e krimbit të mëndafshit, ushqyerja, rritja, krijimi i fshikëzave, marrja dhe përpunimi i fijes e deri te punimi i copës së mëndafshtë me ato fije. Këto janë procese që zgjasin disa muaj.
Së dyti, teknika e punimit për mëndafshin është specifike, pasi kërkon një kujdes dhe vëmendje të veçantë.
Abcnews.al:Prej sa kohësh mbarështoni krimbin e mëndafshit?
Colors of Zadrima:Ne, prej gati dhjetë vitesh i jemi rikthyer traditës së rritjes së krimbit të mëndafshit dhe përpunimit të fijes së mëndafshit në mënyrën artizanale, siç e bënin të parët tanë.
Por, rritja e krimbit të mëndafshit në zonën e Zadrimës është një traditë shekullore, e lidhur ngushtë me praninë e mëndafshit në veshjen tradicionale zadrimore. Duke pasur kushtet e përshtashme klimaterike për t’u zhvilluar, praninë e shumtë të pemëve të manit në këtë zonë dhe nevojën për ta përpunuar për veshjen, rritja e krimbit të mendafshit në këtë zonë gjeti kushtet ideale për t’u zhvilluar.
Megjithëse dikur ka qenë një traditë e lavdishme dhe e përhapur në çdo familje të Zadrimës, sot është një traditë pothuajse e zhdukur. Ne jemi të lumtur që e kemi rinisur.
Abcnews.al:Si e promovoni punën tuaj? Panaire?
Colors of Zadrima: Përpiqemi të jemi mjaft aktivë në rrjete sociale pasi i shohim si kanale mjaft të fuqishme promovimi dhe një rrugë e shkurtër për te klienti. Dy vitet e fundit, shoqata që na mbështet na ka mundësuar pjesëmarrjen edhe në disa panaire dhe kjo na ka ndihmuar shumë për promovimin e produkteve tona.
Abcnews.al: Sa të kërkuara janë punimet artizanale nga njerëzit e thjeshtë?
Colors of Zadrima: Fatmirësisht, jetojmë në një territor ku njerëzit e vlerësojnë traditën e punimeve me tezgjah, pasi shumica e porosive na vijnë nga klientë nga zona jonë, të cilët, pavarësisht mundësive ekonomike, nuk hezitojnë të blejnë një copëz të traditës së tyre. Kjo na ka ndihmuar shumë për të mbijetuar ndër vite.
Abcnews.al: Do e trashëgoni në brezat e ardhshëm këtë traditë?
Colors of Zadrima:Sigurisht, ne përpiqemi që ta injektojmë tek të rinjtë dashurinë dhe pasionin për këtë traditë duke i përfshirë sa më shumë ata në angazhimet tona. Pjesa tjetër besoj u ngelet atyre në dorë.
Abcnews.al: Çfarë ju motivon të punoni me mjete tradicionale, kur ndërkohë teklonolgjia është kaq e zhvilluar? Pra, çfarë ju bën ta doni kaq shumë këtë punë?
Colors of Zadrima:Është pikërisht kjo mënyrë dhe këto mjete që i japin vlerë produkteve artizanale.
Mendojmë se sot njerëzit po rikthehen gjithnjë e më shumë tek produktet tradicionale, pikërisht për këto vlera unike që ato përfaqësojnë. E bukura e produkteve artizanale është se janë unike, të papërsëritshme dhe kanë një histori, përfaqësojnë vlera të një komuniteti të tërë.
Abcnews.al: Një mesazh për ruajtjen e traditës dhe kulturës?
Colors of Zadrima: Tradita është identitet. Ta ruash atë nuk është vetëm çështje dëshire, por është një detyrim që ne jua kemi të parëve që na e trashëguan dhe atyre që do vijnë pas nesh, që t’i njohin rrënjët e tyre./abcnews.al