Përpos rasteve të shumta të dhunës ndaj kafshëve në vendin tonë, një tjetër problematikë vijon të mbetet dhe shitja e tyre. Së fundmi, lidhur me këtë ka reaguar dhe Organizata Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Kafshëve “Four Paws International”, e cila ka denoncuar shitjet në internet të shpendëve dhe kafshëve të egra nga faqe të ndryshme.
Siç shihet edhe nga fotoja që ka postuar organizata një ari i murrmë “akita japoneze”, kushton 500 euro. “Tregtia e paligjshme e jetës së egër në Shqipëri është jashtë kontrollit. Kafshët e egra natyrore të mbrojtura me ligj dhe kafshët ekzotike, si arinjtë, ujqërit, shqiponjat dhe majmunët, u zbuluan për shitje në portalet online “MerrJep”, “Njoftime” dhe “Mirlir. Blerësit janë kryesisht individë privatë dhe pronarë të restoranteve që i bëjnë kafshët të luajnë si kënaqësi për turistët.“, thuhet në reagimin e organizatës.
Ajo gjithashtu thekson se pavarësisht se organizatat jofitimprurëse kanë ngritur problemin e tregtisë së paligjshme, dhe pavarësisht premtimeve nga autoritetet shqiptare për të ndërhyrë dhe për të luftuar krimin e jetës së egër, deri më tani nuk janë ndërmarrë veprime.
“Tani po i bëjmë thirrje qeverisë shqiptare që të ndërhyjë shpejt dhe të prezantojë masa të rrepta në mënyrë që të ndalojë shitjen e paligjshme dhe të mbrojë jetën e egër vendase!“, thuhet ndër të tjera në reagim. Pak ditë më parë, një rast dhune ndaj kafshëve u raportua në kryeqytet, ku pronari i një lokali teksa tentonte të largonte me këmbë një qen, e hodhi në rrugë dhe për pasojë u shtyp nga një automjet.