50 vjet në skenë me role të paharrueshme, rrëfehet Edmond Halili: Si u bëra aktor në Shkodër

schedule09:01 - 23 Nëntor, 2023

schedule 09:01 - 23 Nëntor, 2023

Aktori i njohur i humorit Edmond Halili ka festuar 50 vjet në skenë me qindra role të paharrueshme.

I ftuar në emisionin “ABC e Mëngjesit”, ai është kthyer pas në kohë dhe ka kujtuar fillimet në aktrim në Shkodër. Madje, u ndal dhe te pensioni që merr aktualisht, duke e konsideruar shumë pak për një aktor.

“Unë kam qene shumë shakaxhi, vinin fshatarët dhe i merrja ndonjë kokërr vezë. Kam qene shumë i shkathët dhe gjatë pushimeve të verës, babai më futi në punë. Aty i mbaja të gjithë me të qeshura. Mbas asaj vazhdova shkollën dhe më merrte regjisori Petrit Gega. Ai më ka bërë aktor, shkruante vetëm për mua.

Unë tashmë kam dal në pension dhe marr 280 mijë lekë të vjetra. Gruas i ka dalë shumë 90 mijë. Unë kam dhe dy djem, shyqyr që i kam beqar që e sjellin rrogën në shtëpi. Unë mendoj të shkuara të harruara. Edhe asnjëherë nuk bëj muhabet politike, mua më pëlqen humori”, u shpreh Halili.

Sa i përket marrëdhënieve me aktorët e vjetër, ai tha se i ka shumë të mira. Mes tyre, Edmondi ka veçuar të ndjerin Vasillaq Vangjeli, me të cilin ka qene më i afërt nga të gjithë.

Sa i përket, aktorëve të rinj, ai u shpreh se janë të talentuar, por nuk kanë material, bëjnë humor me barcaleta interneti.

“Sot i kam marrëdhëniet shumë mirë me aktorët e vjetër si Cekja, i dua të gjithë. Këta të rinjtë janë të gjithë të talentuar, kanë mbaruar shkollë. Por nuk kanë material, nuk kanë plan. Dëgjojnë barcaleta dhe i shkruajnë. Ne, estrada e Shkodrës i kemi dhe çik vetë këto batuta.

Që e kam dashur fort ishte Vasillaq Vangjeli. Kam shkuar mirë me Zylin, gjithmonë i thoja ‘hallë’, ça bën halla, si je halla. Më vinte zor t’i thërrisja Zyli”, tha Halili./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!