“50 vite komunizëm u vaditën me ligësi 30 vitet e fundit”, President merr guxim, kërko falje

schedule10:59 - 16 Nëntor, 2020

schedule 10:59 - 16 Nëntor, 2020

Dirigjenti i mirënjohur shqiptaro-kanadez Mjeshtër Bujar Llapaj përmes një letre të hapur i kërkon Presidentit Ilir Meta se krerët e insitutcioneve duhet të kërkojnë falje për krimet e komunizmit të shtrira në 50 vjet dhe të cilat sipas tij u vaditën me ligësi në 30 vite demokraci.

Ndër të tjera në letrën e tij, dirigjenti i mirë njohur shkruan se “Në këto 30 vjet “demokraci” anjëri prej presidentëve apo kryeministrave zyrtarisht, në emër të shtetit shqiptar, nuk ju ka kërkuar FALJE VIKTIMAVE të regjimit komunist, si një hap i parë për nisur një pajtim mbarëshqiptar, për të vënë në vend dinjitetin njerëzor të të burgosurve dhe syrgjynosurve politikë, për të ndarë urdhëruesit dhe zbatuesit e këtyre krimeve nga komunistët e thjeshtë, për të ruajtur gjithçka të mirë që baballarët tanë ndërtuan nën atë regjim, për të çliruar pasaardhësit nga barra e rëndë e mëkatit të paraardhësve tanë si një mësim që të mos të përkrahim dhe ngremë në pushtet individë që mishërojnë urrejtjen krahinore, dhunën verbale dhe fizike ndaj kundërshtarëve, talljen dhe përbuzjen ndaj çdo njeriu me dinjitet”.

Letra e plotë: 

SHTZ. ILIR META

President i Republikës së Shqipërisë

I nderuar Z. President,

Pasi lexova reagimin Tuaj të drejtë në mbrojtje të dinjitetit të ish deputetit të PS dhe PD profesor Kastriot Islami ku Ju si kryetar i shtetit i kërkoni ndjesë edhe pse nuk ishit Ju shkaktar por policia e shtetit shqiptar e cila arbitrarisht kalon kompetencat që i përcakton ligji duke u bërë palë në “luftën” politike, mendova T’ju shkruaj këtë letër të hapur për një problem madhor (sipas meje), një plagë e hapur dhe një peshë e rëndë e cila do të vazhdojë të mbajë të ndezur luftën e klasave dhe urrejtjen ndërshqiptare të mbjellë në 50 vite komunizëm dhe të vaditur me ligësi 30 vitet e fundit.

Në këto 30 vjet “demokraci” asnjëri prej presidentëve apo kryeministrave zyrtarisht, në emër të shtetit shqiptar, nuk ju ka kërkuar FALJE VIKTIMAVE të regjimit komunist, si një hap i parë për të nisur një pajtim mbarëshqiptar, për të vënë në vend dinjitetin njerëzor të të burgosurve dhe syrgjynosurve politikë, për të ndarë urdhëruesit dhe zbatuesit e këtyre krimeve nga komunistët e thjeshtë, për të ruajtur gjithçka të mirë që baballarët tanë ndërtuan nën atë regjim, për të çliruar pasaardhësit nga barra e rëndë e mëkatit të paraardhësve tanë si një mësim që të mos të përkrahim dhe ngremë në pushtet individë që mishërojnë urrejtjen krahinore, dhunën verbale dhe fizike ndaj kundërshtarëve, talljen dhe përbuzjen ndaj çdo njeriu me dinjitet.

Ju personalisht keni patur guximin T’ju kërkoni falje artistëve që në vitin 2000 nuk i përkrahët në betejën e tyre për mbrojtjen e Kulturës Kombëtare dhe institucioneve të saj, dhe unë nuk e quaj këtë si dobësi por si një proces rritje të një politikani dhe mësim për të mos përsëritur gabimet e kaluara qoftë duke përkrahur apo heshtur përballë padrejtësive dhe imoralitetit në politikë.

Unë, Bujar Avdi Llapaj, jam biri i një komunisti super të ndershëm, që na edukoi me shembullin e tij personal dashurinë dhe respektin për Njeriun pavarësish statusit politik, dashurinë për punën si garanci për të jetuar me dinjitet, të jetuarit ndershmërisht dhe pa vese etj. I vetmi gabim i tij ishte sepse besoi verbërisht tek “ideali” komunist se do të vinte një ditë që do hanim me “lugë të florinjtë”.

Si babai im, që lexonte vetëm “Zërin e Popullit”, ka patur me qindra komunistë të ndershëm që punuan dhe dhanë gjithçka për të ndërtuar shkolla, spitale, hidrocentrale, edhe bunkerë; dhe këta ishin të parët që u vunë në kryqin e “antikomunizmit”, kurse xhelatët e vërtetë, spiunët gjarpërinj, të “lexuarit” shkrimtarë, gazetarë, artistë që i shërbyen me zjarr dhe “talent” rritjes së “frymës revolucionare”, ” thellimit të luftës së klasave” u gjendën në ballë të “ndryshimit” dhe edukimit “demokratik” të masave.

I nderuar Zoti President asnjëherë nuk është vonë për të rregulluar një padrejtësi të bërë nga ” shumica” kundër “pjesës” tjetër të të njëjtit gjak. Asnjë vlerë monetare nuk mund t’ju kthejë viktimave jetët e shkatërruara, vuajtjet e burgut apo internimit, linçimin brez pas brezi, Por një Pendesë zyrtare do t’ju kthejë Viktimave dinjitetin e mohuar dhe nga varret e tyre do të dali një frymë çlirimi.

Herbert Von Karajan, dirigjenti më i madh i shekullit të 20, ka dalë përpara gjyqit të Nurembergut, sepse në 1933 kishte qenë vetëm 3 muaj anëtar i partisë naziste, nuk u dënua sepse nuk rezultonte asnjë e dhënë zyrtare apo nga dëshmitarë që ai të kishte kryer ndonjë krim, si dhe shumë anëtarë të asaj partie. Por nuk i shpëtuan ndëshkimit të gjithë ata që ishin frymëzuesit, urdhëruesit dhe egzekutuesit e krimeve. Pra nuk pati një dënim kolektiv.

Shoqëria shqiptare është sot në këtë mjerim sepse politika shqiptare nuk pati zotësinë dhe interesin që të bënte një Nuremberg shqiptar.

Gjykimi apo fajësia kolektive shërbeu për të fshehur kriminelët e vërtetë që sot bëjnë “moral” nëpër gazeta, televizione duke ndërsyer shqiptarët kundër njeri-tjetrit dhe servirur hajdutët, mashtruesit, antishqiptarët si “vlera” kombëtare.

I nderuar Zoti President,

Unë besoj se Ju, në emër të së vërtetës, të pajtimit kombëtar, të së ardhmes, do ta merrni guximin për një PENDESË zyrtare drejtuar atyre mijëra viktimave shkaktuar nga shteti shqiptar, në emrin e “popullit” shqiptar, për mbrojtjen e pushtetit të “popullit” nga “armiqtë” e “popullit”.

Me respekt dhe konsideratë,

Bujar Llapaj.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!