Gjatë natës së nëntë të protestave në Gjeorgji, policia përdori ujë dhe gaz lotsjellës dhe ndërhyri me njësi speciale për qetësimin e protestave, ndërsa demonstruesit përsëri gjuajtën fishekzjarrë në drejtim të policisë, shkruan gazeta “Georgia Danas”.
Demonstruesit lëvizën rreth qendrës së qytetit, sipas gazetës gjeorgjiane. Policia gjeorgjiane njoftoi se 48 persona u arrestuan për mosbindje dhe vandalizëm, ndërsa dy të tjerë u arrestuan me akuzën e pjesëmarrjes në grupe të dhunshme.
Mes të arrestuarve është edhe një shtetas i huaj, i lindur në vitin 1997.
Sipas informacioneve nga Ministria e Punëve të Brendshme të Gjeorgjisë, gjatë protestës ka pasur edhe sulme ndaj punonjësve të policisë me mjete piroteknike, gurë dhe sende të ndryshme.
Një polic ka mbetur i plagosur gjatë përleshjes.
Që nga fillimi i protestës, në kuadër të hetimeve për aktet e dhunshme të kryera gjatë protestës janë ndaluar gjithsej 28 persona.
Protestat janë në rritje në Gjeorgji kundër vendimit të qeverisë së javës së kaluar për shtyrjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian deri në vitin 2028./abcnews.al