“50 gola”, Bregu: Më i bukuri, kam një dedikim special. Penalltia? Nuk ishte

schedule18:36 - 3 Prill, 2021

schedule 18:36 - 3 Prill, 2021

Teuta fitoi 1-0 ndaj Laçit, rezultat që ka ngjitur ekipin durrsak në vend të parë. Sfida u vendos nga një eurogol i Dejvi Bregut, i cili gjeti golin numër 50-të në Kategorinë Superiore. Ylli i Teutës foli pas ndeshjes për Supersport, aty ku preku disa tema të ndryshme.

Duke parë rëndësinë e ndeshjes, besoj se ishin tre pikë shumë të rëndësishme për ekipin tonë. Besoj se ky ishte goli më i bukur në karrierë. Desha t’ia dedikoj dy presidentëve, shokëve, stafit, gjithë tifozëve që erdhën e na mbështetën sot, familjes time dhe babait që e ka pritur këtë gol prej kohësh.

Kam hasur vështirësi kur erdha këtu, kisha mungesë ritmi pasi erdha me vonesë. Por, unë e di shumë mirë se kush jam kur jam në ritëm, e di forcën time. Rëndësi ka që erdha në formë në një moment që i duhesha ekipit, shpresoj të vazhdoj kështu.

Titulli? Ne gjithmonë kemi besuar te titulli, ia kemi ditur vlerat dhe forcën njëri-tjetrit. Besoj se jemi ekipi më i mirë në këtë fazë. Kemi besuar gjithmonë, të vazhdojmë kështu përpara sepse i kemi të gjithë mundësitë dhe potencialin për ta mbyllur sezonin në vend të parë.

Rivalët? Nuk dua të çoj mesazh për ekipet kundërshtare. Mesazhin e kemi brenda grupit tonë. Të jemi të bashkuar dhe të mbajmë këtë frymë. I kemi cilësitë për të ruajtur vendin e parë. Zoti para dhe ne pas.

Pretendimi për penallti? Nuk ka qenë penallti, e sqarova edhe me Ignjatovic gjatë ndeshjes, thjesht më pengoi hapin për të bërë lëvizjen e radhës, por nuk është penallti“, përfundoi sulmuesi i Teutës. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!