5 vite nga vrasja e komandantit, Veliu: Jeta e punonjësve të policisë është rrezikuar këto dy javë

schedule18:25 - 3 Tetor, 2020

schedule 18:25 - 3 Tetor, 2020

5 vite më parë komandanti Simon Gjeta do të binte në krye të detyrës në tentativë e sipër për të neutralizuar një person të armatosur i cili mbajti të terrorizuar banorët e fshatit Obot të Ri për më shumë se 12 orë.  Drejtues të Policisë së Shtetit kanë mbajtur sot një ceremoni nderimi në nder të kujtimit të tij. Gjatë fjalës së mbajtur në ceremoni drejtori i Policisë së Shtetit Ardi Veliu theksoi kontributin që la pas Gjeta, por u ndal edhe tek përballjet e vështira me të cilat hasen punonjësit e Policisë së Shtetit. Ai solli në vëmendje rastin e ngjashëm me atë të 5 viteve më parë, ku 71-vjeçari Lefter Zhidru terrorizoi Elbasanin për 5 orë me radhë dhe më pas ashtu si 56-vjeçari që vrau Gjetën, u ekzekutua nga RENEA.

“Simon Gjeta, në detyrën e komandantit të grupit të FNSH Shkodër, nuk preferoi të komandonte, por udhëhoqi grupin për të bërë të mundur kapjen e autorit të plagosjes, i cili hapi zjarr pabesisht mbi Policinë duke i marrë jetën komandant Gjetës.

Vetëm dy javët e fundit ka pasur disa ngjarje kriminale, ku jeta e punonjësve të Policisë është rrezikuar seriozisht.

Ngjarja e Elbasanit ku u plagosën dy persona të pafajshëm dhe u rrezikua shumë seriozisht jeta e punonjësve të Policisë së Fushë Krujës dhe Tiranës, pasi persona me precedent kriminal dhe në kundërshtim me ligjin nuk iu bindën urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar në pikën e kontrollit, por reaguan duke plagosur dy punonjës policie në tentativë për t’u larguar, të cilët u prangosën pak minuta më vonë, apo vështirësia dhe rreziku gjatë kapjes së personave që qarkullonin me armë zjarri dhe atyre me rrezikshmëri të lartë shoqërore”, tha Veliu.

Çfarë ndodhi 5 vite më parë në fshatin Obot të Ri

Ruzhdi Arishta, 56-vjeç bëri një rezistencë për rreth 12 orë  ndaj efektivëve të RENEA-s dhe FNSH, duke qëndruar i izoluar në banesën e tij në Obot të Ri. Arishta plagosi fillimisht fqinjin e tij për shkak të konflikteve për gardhin. Kjo solli ndërhyrjen e forcave të policisë për të bërë të mundur arrestimin e tij. Pas rrethimit nga uniformat blu ai vrau me armë zjarri komandantin Simon Gjeta, pasi lëshoi në drejtim të këtij të fundit një breshëri plumbash tre prej të cilëve kapën Gjetën në qafë e kokë, duke i marrë jetën.

Pas kësaj, 56-vjeçari mundi t’i rezistojë policisë gjatë gjithë natës, duke derdhur ndaj tyre rreth 200 plumba, teksa qëndronte i fshehur në aneksin e shtëpisë.  Ndërsa, për t’u mbrojtur nga gazi lotsjellës i hedhur nga policia, ai përdorte batanije dhe peshqir të lagur. Pjesë e grupit negociator që tentoi të bindte atë të dorëzohej ishte edhe motra e tij, por Arishta deklaroi se nëse afrohej, do ta vriste edhe atë. Gjithçka përfundoi në mëngjes, rreth orës 07:00, kur forcat RENEA hynë brenda shtëpisë, duke e ekzekutuar 56-vjeçarin./mv. abcnews.al

https://www.facebook.com/policiashtetitshqiptar/videos/1519117474954704

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!