Abc News siguroi videon ekskluzive të momentit kur biznesmeni Andon Dhima, i shpëtoi atentatit në Tiranë mbrëmjen e së enjtes në hyrje të pallatit për çështje sekondash. Ishte rastësia dhe vajza që i shpëtuan jetën biznesmenit.
Ora shënon 22:08:55 e mbrëmjes së të enjtes kur biznesmeni i shqetësuar vetëm nga shiu dhe asgjë tjetër futet i qetë në pallat pas vajzës së tij me të cilën ishte takuar më parë te një lokal poshtë apartamentit.
Vajza futet përpara në pallat disa sekonda më parë dhe merr ashensorin. Në pamjet ekskluzive duket momenti kur vajza pret të atin që të vijë për t’u ngjitur në banesë. Sapo biznesmeni futet, ashensori mbyllet dhe ngjitet.
5 sekonda pas tij futen dy atentatorët që vijnë nga drejtime të ndryshme, të armatosur, lënë çadrat jashtë dhe futen me shpejtësi. Por në momentin që arrijnë me pistoletat në duar, ashensori ishte mbyllur dhe ngjitur.
Përballë kësaj situate ku preja shpëtoi, autorët të maskuar dalin me shpejtësi nga dera ku u futën dhe largohen. Por sikur duket edhe nga pamjet, autorët u futën nga drejtime të ndryshme, ç’ka lë të kuptohet se ishin në pritje të momentit nga cila rrugë do të vinte dhe do të futej brenda për ta vrarë.
Në momentin që dy atentatorët dalin, hasin rojen e pallatit i cili dyshohet se kanë vënë në dijeni biznesmenin për rrezikun nga i cili ka shpëtuar. Më pas biznesmeni Dhima ka telefonuar uniformat blu të cilët njoftuan një ditë më parë se po punohet për të kapjen dhe identifikimin e autorëve.
Gazetari Artan Hoxha i ftuar në Abc News dha detaje lidhur me atentatin e mbetur në tentativë ndaj biznesmenit Andon Dhima. Ky i fundit denoncoi në polici se ka konflikt me një person dhe lidhur me këtë ka vënë në dijeni edhe kryeministrin, presidentin si dhe ambasadën e SHBA.
Artan Hoxha tha se deri më tani ka dhënë deklarim vetë biznesmeni, djali dhe vajza e tij e cila ka qenë prezente në momentin kur dy persona kanë tentuar të ekzekutojnë të atin./ db/Abcnews.al