Coco Chanel ishte mishërim i stilit dhe përsosmërisë. Stilistja ikonike arriti që në një periudhë të vështirë për modën të nxjerrë në pah të sofistikuarën dhe ta çojë gruan në një tjetër nivel.
Ndikimi i saj në modën e lartë ishte aq i madh sa revista “Time” e renditi atë, në një kohë kur femrat krijuese ishin një ëndërr – në mesin e 100 njerëzve më me ndikim në shekullin e 20-të. Sipas saj, ngjyrat gjithmonë bëjnë një ndryshim në një paraqitje.
Për të, bardhezi ishte nënshkrimi i saj. Chanel gjithmonë fliste për 5 ngjyrat ikonike që siç besonte ajo, nuk do të dalin kurrë nga moda pa marrë parasysh se sa vite kalojnë.
E zeza për stilisten franceze ishte ngjyra që zbuloi shkëlqimin e një gruaje dhe theksoi sensualitetin e saj. Ajo madje besonte se nuk ka asgjë më elegante sesa një fustan i zi.
E bardha: Fillimi i gjithçkaje është e bardhë. Jep dritë dhe zbut çdo hije të fytyrës. Është ngjyra përfundimtare e qetësisë dhe nxjerr në pah bukurinë e çdo gruaje.
Bezha: E ngrohtë dhe e thjeshtë! Është një ngjyrë tokësore që vjen në harmoni me natyrën. Thjesht “puthja” e diellit në lëkurën tonë.
Ari: Një ngjyrë që Chanel e donte veçanërisht dhe u përpoq ta kombinonte me të gjitha setet e saj. E ndikuar nga epoka barok ku ari dominoi estetikisht, ajo kurrë nuk e fshehu faktin se kjo ngjyrë e frymëzonte gjithmonë.
E kuqja: Është ngjyra e jetës, gjakut, pasionit dhe eksitimit. Ajo thoshte “Nëse je e mërzitur, vendos një buzëkuq të kuq dhe vazhdo. Burrat i urrejnë gratë e dobëta …”. /abcnews.al