Një ndër shqetësimet kryesore për të gjithë gjatë stinës së verës është celuliti. Shpesh, privohemi nga të veshurit diçka të shkurtër, vetëm që të fshehim pjesët problematike. Pavarësisht trajtimeve në qendrat estetike, apo dietave dhe ushtrimeve të ndryshme, përsëri shmangia e këtij problemi është e pamundur.
Kjo vjen si rezultat i gjenetikës, megjithatë dermatologët rekomandojnë disa këshilla që ndihmojnë në reduktimin e celulitit dhe në mbajtjen e trupit më në formë, shkruan abcnews.al
Masazhi i thellë
Ky masazh bëhet nëpërmjet një pajisjeje me vakum dhe roller, që sipas dermatologëve ndihmon në qarkullimin e gjakut dhe përmirësimin e lëkurës. Për të patur rezultate të mira, duhet të bëni seanca të rregullta, të paktën një herë në javë, por problemi i vetëm është se efektet nuk zgjasin shumë.
Kremrat
Nuk ka asnjë provë shkencore që kremrat kundër celulitit janë efektivë, por mund të hidratojnë lëkurën dhe të duket më e fortë. Kremrat duhet t’i përdorni për një kohë të gjatë, pasi efektet e para mund të shihen pas tetë javësh.
Trajtimet profesionale
Sipas dermatologëve, procedurat e veçanta të kryera nga ekspertët mund të jenë shumë dobishme, dhe metoda më efektive njihet si subcisioni. Një studim me 232 pjesëmarrës, tregoi se 99 përqind e tyre kishin patur rezultate të kënaqshme nga ky trajtim. Ndryshimet vërehen që në seancën e parë, dhe rezultatet mund të zgjasin deri në dy vite.
Metoda “Dry Brushing”
“Dry brushing” është procesi që kryhet duke përdorur një furçë me maja të forta, për të ndihmuar në heqjen e qelizave të vdekura nga sipërfaqja e lëkurës dhe për të forcuar qarkullimin e gjakut. Sipas dermatologëve, kjo terapi mund të jetë efektive, por përsëri nuk jep ndonjë rezultat të madh. Që të ketë ndonjë efekt, duhet ta bëni këtë procedurë për një kohë të gjatë.
Trajtimi me radiofrekuencë
Një studim ku morën pjesë 16 persona, të cilët iu nënshtruan këtij trajtimi dy herë në javë për një muaj e gjysëm tregoi efekte pozitive në reduktimin e celulitit. Duke përdorur energjinë RF për të ngrohur yndyrën, lëkura juaj forcohet dhe qarkullimi i gjakut rritet, gjë që ndihmon për të zvogëluar shfaqjen e celulitit. /abcnews.al