“5 Maji”, Mazniku: Banorët pre e politikës, s’i hoqëm nga Blloku, do u japim 2 herë më shumë se privati

schedule19:41 - 11 Shkurt, 2022

schedule 19:41 - 11 Shkurt, 2022

Banorët e lagjes “5 Maji” në Tiranë shtëpitë e të cilëve po shemben nga projekti i rindërtimit kanë depozituar një kallëzim në SPAK. Ata akuzojnë kryeministrin Edi Rama, kryebashkiakun Erion Veliaj dhe ministra të tjerë të qeverisë se sipas tyre kanë urdhëruar shembjen në kundërshtim me ligjin.

I ftuar në Radarin Informativ në Abc, nënkryetari i bashkisë Tiranë Arbjan Mazniku tha se kjo padi nuk do të ndryshojë asgjë. Duke i konsideruar kërkesat e banorëve të palogjikshme, Mazniku  tha se ata po përdoren politikisht.

Askujt nuk i hap probleme bashkia. Për çdo procedurë ligjore është ndjekur nga ana e qeverisë. Është bërë çdo hap i nevojshëm për informimin e qytetarëve. Është duke u bërë çdo gjë për të mbrojtur interesin e tyre. Banorët të mos bien pre e përdorimit politik nga aktorë që duan ti përdorin si mish për top. Rama dhe Veliaj janë duke bërë ç’është e mundur që qytetarët të marrin më të mirën e mundshme”, tha nënkryetari i bashkisë.

Për të revolta e qytetarëve të kësaj zone është e pavend, ndërsa theksoi se ata do të marrin 2 herë më shumë se ç’do t’u kishte dhënë privati.

“ Unë kam kaluar disa ditë me disa prej banorëve. I kemi sqaruar në mënyrë të gjatë dhe të pafund. Njësia jonë administrative atje i ka dëgjuar me dhjetëra herë secilin prej tyre. Nënë Liza ka bërë një aplikim me vetëdeklarim pranë legalizimit për tu legalizuar dhe ka thënë kam kaq metra. 365 metra. Nëse kanë shtuar metra të tjera në një objekt që e ka deklaruar aq, atëherë kemi të bëjmë me një akt të paligjshëm. Ata janë duke marrë nga shteti shqiptar të paktën 2 herë më shumë se çdo t’u kishte dhënë çdo ndërtues”.

Pse kontrata s’ka një afat kohor? Këta njerëz kanë të gjithë të drejtën të mendojnë se do na e japin bonusin një vit dhe s’do na e japin më? “Vendimi i  qeverisë thotë që ata do vazhdojnë të marrin një bonus qiraje derisa të kenë mundësi të hyjnë në banesën e re. Ju mund ta verifikonte se janë dokumente publike. Mos ishin duke banuar në bllok këta qytetarë dhe i lëvizëm ne. Zona atje është pa infrastrukturë. Kanë infrastrukturë shumë të dobët, me pak hapësira publike. Zona që po ndërtohet është e projektuar. Nga ana urbane do vlejë disa herë më shumë se zona që po lënë banorët.  Ajo që u është dhënë banorëve është vendim i këshillit të ministrave dhe është rregull i njëjtë për të gjithë, i jep gjithsecilit atë që i  takon në mënyrë të drejtë dhe të barabartë”, sqaroi ai për kontratën.

Mazniku premtoi se asnjë banor i kësaj zone nuk do të mbetet pa shtëpi.

“Askush nuk do  të ngelë pa shtëpi.  VKM e re ristrukturon dhe fut në këtë zonë dhe elementët e rrugës. Bashkia Tiranë ka një kompani 100% në pronësi të bashkisë, në shembullni më të mirë të bashkive më të zhvilluara në botë, bashkia ka një kompani 100% në pronësi të bashkisë. Ky është hap inovativ”.

Pretendimet e banorëve të cilët thanë se nuk u dëgjuan nga kryeministri gjatë takimit që zhvilluan dje, Mazniku i cilësoi të pavërteta.

“Kjo është  e pavërtetë, pati momente kur banorët flisnin në të njëjtën kohë. E kuptoj që ata njerëz janë emocionalë ndihen të frustruar. Pati momente që u kërkua që secilit t’i jepej përgjigje. Rama dje vendosi të mos shkojë në seancë plenare dhe u dha përgjigje shqetësimeve të banorëve në përputhje me ligjin”.

Banorët i kërkuan SPAK që të bëjë sekuestron preventive dhe të ndalë aksionin për shembjen e banesave. Banesat e këtyre banorëve preken nga projekti për rindërtimin pas tërmetit të nëntorit. Banorët kanë protestuar vazhdimisht para Kuvendit ndërsa kërkojnë të respektohet kontrata dhe të përfitojnë banesa. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!