Burimi më i mirë i dijës është libri. Gjithashtu dhe mënyra më e mirë për të ushqyer trurin dhë për të pasur një logjikë sa më të shëndetshme. Ndaj për këtë arsye, sugjerohet që kontaktet më librin të ngjizen në moshë sa më të re. Sigurisht, jo çdo libër i përshtatet moshave të caktuara, ndaj për të mos shtrembëruar këndvështrimet dhe për të mos përzier idealet, duhet një filtër i fortë i cili mund të drejtojë lexuesit e patrajnuar drejt krijimit të preferencave të tyre. Të gjithë i mbajmë mend marrëdhëniet e para me librat. Sigurisht që detyrimet shkollore bëjnë që me hir apo jo të kemi një të tillë në duar, por cilat janë ato krijime fiktive të cilat kemi zgjedhur në mosha të vogla që ti lexojmë më dëshirë? Letërsia për fëmijë është shpërthimi më shumëngjyrësh dhe domethënës i fantazisë njerëzore. Gjithashtu edhe më delikati, për shkak se historitë dhe mbresat e shkaktuara nga ploti mund të lenë gjurmë në karakterin e vogëlushëve. Bota fëmijnore në limitet e saj është e pafundme. Ndaj për tu kredhur në retrospektivën e periudhës më të lumtur të jetës, më poshtë janë të listuara disa nga librat më të bukur për fëmijë.
1.“Liza në botën e çudirave” Lewis Carroll
Një ndër librat më të rëndësishmë të letërsisë për fëmijë, “Liza në botën e çudirave” ka arritur që të damkoset në memorien e gjithësecilit. Ndjekja e udhëtimeve të Lizës gjithmonë ka intriguar fëmijët e brezave të ndryshëm duke bërë që të përjetojnë peripecitë e saj më të njëjtin intensitet, sikur të ishin edhe vetë të përfshirë. Ky libër i shkruar në shekullin e XIX, ka arritur të realizohet në prodhime kinematografike të pafundme, duke e shumfishuar rëndësinë e tij për botën fëmijënore.
2- “Përralla”, Hans Kristian Andersen
Andërsen ka provuar që nuk është e pamundur që edhe i rritur të mos e humbasësh kurrë fëmijën brenda teje. Një ndër shkrimtarët ikonë të letërsisë për fëmijë, Hansi na ka dhuruar disa nga krijimet më të bukura të cilat mbeten të pavdekshme dhe të pëlqyeshme për çdo moshë.
“Shitësja e vogël e shkrepseve”; “Sirena e Vogël”; “Rosaku i shëmtuar”; “Rrobat e reja të perandorit”; “Princesha mbi bizele” etj, janë vetëm disa nga përrallat e arrira që kemi pasur fatin të lexojmë nga ky autor. Vepra e tij mbetet gjithmonë një ide e mirë për t’jua lexuar të vegjëlve.
3- “Bilbo Hobiti”, John Ronald Ruel Tolkien
Kur flitet për letërsinë për fëmijë, “Bilbo Hobiti” nuk është zgjedhja e parë që të vjen nëpër mend, por kjo kryevepër e vitit 1937 zë vend në mënyrë perfekte në këtë zhanër. Duke mos patur famën komerciale dhe prodhime nëpër filmat e animuar, hobiti është mbajtur nën hije, por ky klasik është një histori që duhet pasur në arkivën fëmijënore të gjithësecilit. Aventurat e Bilbos në kërkim të thesarit bashkë me krijesa e tjera të pyllit, të japin dëshirën që tu bashkohesh dhe ti në kalimin e peripecive dhe triumfin përfundimtar. Ky libër është gjithashtu pararendësi i triologjisë “Kryezoti i Unazave”.
4-“Harry Potter”, J.K.Rowling
I publikuar vetëm para 20 viteve, seria e librave “Harry Potter” ka arritur që të bëhet me shpejtësi një ndër veprat më të rëndësishme të lëtërsisë për fëmijë. Magjia e Harryt arrin të depërtojë përtej kufijve fëmijënor pasi kjo vepër është gjithashtu përfshirëse dhe në urinë e leximit të të rriturve. I realizuar në 7 libra dhe 8 filma, Harry Potter dhe miqtë e tij na tregojnë aventurat e tyre në shkollën e magjisë dhe luftimit ndaj së keqes.
5-“Narnia”, C.S.Lewis
Një ndër seritë e librave më frymëndalës, Narnia është bërë me furi pjesë e e bibliotekave të çdo shtëpie. Askush nuk mund ti rezistojë kësaj kryevepre ku dashuria ndërmjet vëllezërve dhe motrave në botën e ngrirë drejt luftimit të së keqes triumfon mbi gjithçka. Krijesat magjike janë një ndihmesë e mirë për të mos e ndalur së lexuari këtë libër më një frymë. Gjithashtu me realizime të arrira kinematografike, Narni mbetet një ndër librat më të mirë për t’ua sugjeruar fëmijëve./abcnews.al