Gjyqe dhe COVID-19, temat e ditës në Superiore. Te Tirana “hijet” e së shkuarës me gjyqe të humbura dhe borxhe sportive duket se po rikthehet. Erando Karabeci, i larguar pas 10 vitesh prej kampionëve në fuqi, kërkon të marrë paratë që i takojnë dhe për këtë pret vendimin e Dhomës Kombëtares të Zgjidhjes së Konflikteve.
Sipas asaj që shkruan “Panorama Sport” në numrin sotëm, gjyqi do të zhvillohet ditën e martë. Karabeci pretendon 48 milion lek nga gjyqi dhe mbetet të shihet nëse do të ketë një marrëveshje me Tiranën për ta paguar me këste.
SITUATA NË SHKODËR – Vetëm tre lojtarë të infektuar te Vllaznia për momentin. Ismael Dunga, Chrisopher Mandiangu dhe Aleksandar Isaevksi presin të bëjnë tamponin e dytë për të mësuar nëse e kanë kaluar koronavirusin.
Një ditë më parë lajmin e mirë stafi teknik e ka marrë pas rikthimit të brazilianit Victor Da Silva dhe mbrojtësit Mevlan Adili. Ky i fundit madje ka postuar edhe një foto nga seanca e djeshme stërvitore, ku shfaqet bashkë me lojtarë të tjerë që e kanë kaluar virusin.
Erdenis Gurisha e kaloi i pari, për të vijuar më pas me Eni Imamin, Uheid Hoxhan, Florind Bardullën dhe Mehdi Çobën. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me zëvendëstrajnerin Elvis Plori, i cili ka marrë përgjigjen e tamponit dhe ka dalë negativ. /abcnews.al