Ish-kryeministri Sali Berisha mori pjesë në ekspozitën kushtuar dy poetëve të pushkatuar Vilson Blloshmi dhe Genc Leka në godinën e ish-të përndjekurve politikë. Janë bërë 45 vite nga ekzekutimi i tyre nga regjimi komunist.
Berisha shprehu vlerësimet për dy poetët dhe krijimet e tyre. Në një deklaratë për mediat, ish-kryeministri tha se Vilson Blloshmi dhe Genc Leka ia thanë në sy diktaturës sesi ajo ishte. Berisha shtoi se ata kanë lënë një trashëgimi të shkëlqyer në letërsinë shqipe, duke i krahasuar me Migjenin, që i shkruajti mjerimit.
“Edha të shpreh nderimin më të thellë për dy poetët, gjeni në krijimet e tyre letrare. Genc Leka dhe Vilson Blloshmi kanë lënë një trashëgimi, do të thosha nga më të shkëlqyerat në letërsinë tonë, në poezinë tonë, si në rrafshin artistik ashtu edhe në domethënien e kohës në të cilën janë shkruajtur. Askush gjer sot nuk ka paraqitur Shqipërinë e diktaturës, siç ka bërë Vilsoni tek Saharaja e tij. Ato janë një tufë krijimesh, jo voluminoze, por në kuptimin më të vërtetë të fjalës, diamante. Poezitë e tyre mund t’i krahasosh me krijimet më të bukura, kanë brenda kurajon, guximin e dy të rinjve që i thonë në sy diktaturës se çfarë ishte ajo.
Dua të shpreh nderimin tim për Bedri Blloshnim, pa punën e madhe të tij nuk do të njiheshim me këto vepra. Nuk do të ishim sot në këtë ekspozitë që paraqet me dokumenta të gjithë sagën.
Dua të shpreh nderimin. I ftoj shqiptarët të lexojnë poezitë e tyre sepse janë veprat në të cilën stigmatizohet me vërtetësinë dhe forcën më të madhe diktatura komuniste. Me atë forcë që Migjeni ka stigmatizuar mjerimin e kohës, me atë forcë, Vilsoni dhe Genci përshkruajnë diktaturën”, deklaroi Berisha.
Genc Leka dhe Vilson Blloshmi lindën në Bërzeshtë të Librazhdit. Të dy ishin mësues, poetë dhe vinin nga familje të cilësuara armike të regjimit. Ata u dënuan me vdekje për vargjet e tyre dhe u pushkatuan më 17 korrik 1977. g.v/abcnews.al