Gjykata e Tiranës ka caktuar masën arrest me burg për 31 vjeçarin, Armando Papa që u arrestua duke transportuar 41 kg heroinë. Papa kishte mohuar se kishte dijeni që në mjetin me të cilin po udhëtonte gjendej sasia e lëndës narkotike.
Në seancën e sotme ai ka deklaruar se po shkonte në Rinas për ti dërguar një porosi motrës së tij, dhe se pakot me heroinë mund tja kenë vendosur në makinë pa dijeninë e tij.
Avokati i tij mbrojtës ka kërkuar që papa të hetohet për një tjetër masë sigurie pasi vuan nga një sëmundje e pashërueshme dhe duhet që të marrë trajtim mjekësor. Gjithashtu pala mbrojtëse ka kërkuar që të kryhet ekspertimi i lëndës narkotike për të parë nëse bëhet apo jo për heroinë.
Papa ka përfunduar në prangat e policisë pas operacionit “Fusha e Kuqe”, hetuesit kanë mbajtur nën vëzhgim lëvizjet e të riut dhe se lëndën narkotike e ka marrë nga shtetasi Rolland Guzi që kishte rolin e tyransportuesit.
Ky person është shpallur në kërkim. Droga me vlerë mbi gjysmë milioni euro transportohej me një automjet tip Benz që drejtohej nga 31 vjeçari Papa.