Ukraina shënon sot 4-vjetorin e sulmeve të para ruse mbi territorin e saj, duke rikujtuar nisjen e një lufte që ka shkaktuar mijëra viktima dhe pasoja të mëdha humanitare e gjeopolitike. Me këtë rast, Ambasada e Ukrainës në Tiranë po zhvillon një ceremoni përkujtimore në nderim të viktimave të agresionit dhe në shenjë solidariteti me popullin ukrainas.
I pranishëm në ceremoni, ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, u shpreh se 24 shkurti mbetet një ditë e paharrueshme. Ai theksoi se pas katër vitesh luftë, Bashkimi Europian mbetet i vendosur për të parë drejt një të ardhmeje ku agresioni rus do të marrë fund.
Sipas Gonzatos, BE kërkon një paqe të drejtë dhe afatgjatë për Ukrainën, ndërsa nënvizoi se asnjë marrëveshje nuk mund të jetë e besueshme pa përfshirjen e vetë Ukrainës. “Paqja duhet të jetë e drejtë, e gjatë dhe me garanci të forta sigurie. Nëse agresioni normalizohet, integriteti territorial bëhet i negociueshëm”, tha ai.
Ambasadori shtoi se, ndonëse Ukraina ka demonstruar vazhdimisht gatishmëri për paqe, Rusia ka vijuar sulmet, duke e bërë të domosdoshëm presionin diplomatik dhe mbështetjen ndërkombëtare. Ai theksoi se Bashkimi Europian do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për llogaridhënie dhe drejtësi për vuajtjet e shkaktuara nga lufta, deri në arritjen e një paqeje të qëndrueshme dhe të sigurt.
“Kjo ishte një ditë që e mbaj mend shumë mirë. Në shok dhe në mosbesim dëgjuam lajmin. Pas katër vitesh luftë jemi të vendosur që të shikojmë më tej, në vitin 2026 ku agresioni rus do të marr fund. BE është i vendosur, kërkon paqe në Ukrainë, paqe afatgjatë. Ndërkohë që Ukraina ka demonstruar vazhdimisht dëshirën për paqe, Rusia ka kundërshtuar. Më lejoni të them që asnjë marrëveshje nuk mund të jetë e besueshme pa Ukrainën. Paqja duhet të jetë e drejtë, e gjatë dhe me afate të gjata sigurie. Pretendimet e Rusisë janë kontradiktore, që kërkojnë paqe, teksa ata sulmojnë infrastrukturën ruse ne nuk mund t’iu japim një fitore.
Paqja dhe integriteti janë angazhime thelbësore për sigurinë e të gjitha shteteve. Nëse agresioni normalizohet, integriteti territorial bëhet i negociueshëm. Një paqe e gjatë në Ukrainë është kritike. Llogaridhënia për vuajtjet duhet të jetë gjithashtu e rëndësishme. Bashkimi Europian do të vazhdojë që të mbështesë përpjekjet për të garantuar llogaridhënien, gjithashtu do të ketë presion diplomatike, derisa paqja të jetë e sigurt. Populli ukrainas po tregon rezistencë heroike. Ukrainasit meritojnë mbështetjen tonë të plotë. Falënderojmë Shqipërinë për mbështetjen, është e rëndësishme që në këto kohë vendet e BE dhe ata në rrugën e integrimit të tregojnë unitet në veprime dhe qëllime. Është koha që të mos hezitojmë në promovimin e rregullave tona të përbashkëta”, tha Gonzato.


