4 muaj i arrestuar, SPAK merr nesër në pyetje ish-ministrin Lefter Koka

schedule11:15 - 14 Prill, 2022

schedule 11:15 - 14 Prill, 2022

SPAK merr për herë të parë pyetje nesër ish-ministrin Lefter Koka pas 4 muajsh i arrestuar.

Lefter Koka u arrestua në dhjetor të vitit të shkuar pasi akuzohet nga SPAK se ka shpërdoruar detyrën dhe ka marrë rryshfet gjatë kryerjes së detyrës. SPAK shpjegon se e gjitha lidhet me ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit, ku Lefter Koka, në cilësine e ministrit të Mjedisit ka shkelur procedurat për dhënien e licencës dhe miratimin e vijimit të ndërtimit të objektit, ndërsa dy personat e tjerë, akuzohet se kanë pastruar para dhe kanë dhënë rryshfet në drejtim të Kokës me qëllim sigurimin e lejes për ndërtimin e inceneratorit. Pasi është miratuar ndërtimi i inceneratorit të Elbasanit, SPAK shprehet se kompaniatë “Albtek Energy” sh.p.k. dhe Integrated Technology Services” sh.p.k. kanë bashkëpunuar me njëra-tjetrën për duke faturuar punë fiktive me vlerë 3.6 milion euro.

Sipas SPAK, kjo shumë, pikërisht 3.6 milion euro i është dhënë në formë ryshfeti Lefter Kokës për shërbimet e bëra ndaj inceneratorit të Elbasanit, i cili u ndërtua në shkelje të të gjitha procedurave.

Po ashtu SPAK ka vendosur sekuestrimin e pasurisë të Kokës, konkretisht, “Kantina e Pijeve Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Durrës, e cila kap vlerën e 442.972 lekë, si pasuri ekuivalente me një pjesë të produkteve të veprës penale. Ndërkaq të dyja kompanitë janë vendosur në sekuestro preventive. Po kështu, janë sekuestruar edhe pasuri të tjera të Klodian Zotos dhe Stela Gugallit. Zoto dhe Gugullja akuzohen për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” .

Ish-ministri akuzohet për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”

Si funksiononte skema

Pasi mori lejen përmes dhënies së ryfshfetit në drejtim të Lefter Kokës sipas SPAK, inceneratori i Elbasanit, në pronësi të kompanisë “Albtek Energy” sh.p.k, e administruar nga Stela Gugallja, i lëshonte fatura fiktive për punë të pakryera kompanisë “Integrated Technology Services” sh.p.k. Duke qenë se inceneratorët ishin projekte, të cilat u ndërtuan me fondet e shtetit shqiptar, ishte buxheti që duhej të përballonte këto pagesa.

Rrjedhimisht, sipas SPAK, nëpërmjet kësaj skeme, buxhetit të shtetit i janë shkaktuar rreth 3.6 milion euro dëm. Këto para pastaj që iu vodhën shqiptarëve përmes faturave fiktive, iu dërguan nga inceneratorët Lefter Kokës si një shpërblim për shërbimin që i kishte bërë inceneratorit të Elbasanit, i cili u ndërtua në shkelje të procedurave dhe duket të mos jetë rentabël dhe deri më tani nuk ka prodhuar madje as edhe një MW/h energji elektrike.

Pjesë nga shpjegimi i SPAK: Nga veprimet hetimore të kryera dhe nga vlera provuese e provave të mbledhura krijohen dyshime të arsyeshme dhe të bazuara në prova dhe krijohet bindja se nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k. (shoqëria që ka përfituar koncensionin) dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të koncensionit) janë pranuar fatura tatimore shitje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri tregtare, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare.

Shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 368.672.760 lekë (ose rreth 2.950.000 Euro). Shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k. ka deklaruar në librin e blerjes faturat tatimore të shitjeve nga këto shoqëri tregtare në total në vlerën 91.963.141 lekë (ose rreth 735.000 Euro).

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!