Nga Erblina Mile
Qeveria parashikon të katërfishojë gjobat për ato bizneset që nuk regjistrohen në afatet e përcaktuara ose deklarojnë të dhëna të pasakta. Në draft parashikohet që gjoba nga 15 mijë lekë të bëhet 60 mijë lekë. Ndryshimet në projektligjin “Për Regjistrimin e Biznesit” janë dorëzuar në Kuvend dhe pritet të kalojnë për diskutim dhe miratim në komisione dhe parlament, me nisjen e sesionit të ri për vitin 2022.
Ligji aktual në fuqi që parashikon aplikimin e gjobave, në rast të mospërmbushjes brenda afateve ligjore të detyrimit ligjor për kryerjen e regjistrimeve përkatëse në regjistrin tregtar dhe mosdeklarimeve reale janë konsideruar të ulëta.
Në relacionin e projektligjit argumentohet se niveli i gjobave në disa vende të rajonit është disa herë më i lartë se në vendin tonë dhe kjo e bën të detyrueshëm ndryshimin e ligjit aktual. Referuar të dhënave gjoba e aplikuar në shtetin e Malit të Zi është 1000 Euro, Greqia 600 euro dhe Sllovenia 400 euro.
Ndërhyrja në projektligj sipas qeverisë është e nevojshme për forcimin e detyrimit për regjistrimin fillestar dhe regjistrimeve te tjera në afatin e caktuar. Objektivat e këtij projektligji janë forcimi i detyrimit për deklarimin e të dhënave te vërteta në Regjistër nga ana e subjekteve tregtare. Rritjen e konkurrueshmërisë dhe përmirësimin e klimës së biznesit nëpërmjet deklarimeve reale dhe regjistrimit ne kohë të bizneseve. Si dhe të rritet më tej transparenca lidhur me deklarimet që bëjnë bizneset lidhur me të dhënat e tyre./ Abcnews.al